Si u shndërrua Koreja e Veriut në një fuqi të madhe të sulmeve kibernetike?

29 nëntor 2026 | 22:05

Koreja e Veriut është një nga vendet më të varfra dhe më të izoluara në botë. Shumica e qytetarëve nuk kanë qasje në internetin e jashtëm, ndërsa edhe pakica që përdor kompjuterë dhe telefona ka akses vetëm në një rrjet të brendshëm të censuruar. Shikimi i filmave apo serialeve të huaja është i ndaluar me ligj.

Megjithatë, pavarësisht izolimit, vendi ka ndërtuar një nga fuqitë më të mëdha të sulmeve kibernetike në botë.

Njësitë e hakerëve të Koresë së Veriut u bënë të njohura ndërkombëtarisht më shumë se një dekadë më parë, pas një sulmi ndaj studios së Hollivudit, Sony Pictures. Sipas zyrtarëve amerikanë, muajin e kaluar ato kryen edhe grabitjen më të madhe të kriptomonedhave në histori, duke vjedhur rreth 6 miliardë dollarë nga Binance, platforma më e madhe e shkëmbimit të kriptomonedhave në botë. Nëse kjo shifër konfirmohet, vlera totale e vjedhjeve të kryera nga hakerët koreano-veriorë arrin në rreth 13 miliardë dollarë. Pheniani ka mohuar përfshirjen.

Sipas analistëve, këto vjedhje i kanë siguruar liderit Kim Jong Un të ardhura për të financuar programin bërthamor të vendit, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare.

“Ata janë në një nivel më vete. Përdorimi i një njësie shtetërore të spiunazhit kibernetik për të kryer vjedhje dhe aktivitete të mirëfillta kriminale është diçka që nuk e bën askush tjetër”, tha Nick Carlsen, hetues i lartë në kompaninë TRM Labs, e specializuar në gjurmimin e kriptomonedhave.

Të dhënat për Korenë e Veriut janë të pakta, por informacionet e mbledhura nga dezertorët, gazetarët, punonjësit e ndihmës humanitare dhe ekspertët tregojnë se vendi ka ndërtuar një sistem të organizuar për përgatitjen e një ushtrie hakerësh, të cilët sot përbëjnë një nga kërcënimet më të mëdha kibernetike në botë.

Si ndërtohet një ushtri hakerësh?

Themelet e këtij sistemi u hodhën nga brezat e mëparshëm të familjes që drejton Korenë e Veriut.

Në vitet 1980, udhëheqësi i atëhershëm Kim Il Sung krijoi në kryeqytetin Phenian një shkollë për nxënësit më të talentuar. Aty zhvilloheshin mësime në shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë dhe gjuhë të huaja. Pranimi bëhej përmes një procesi të rreptë përzgjedhjeje.

Nxënësit kishin akses të kufizuar dhe të kontrolluar në kompjuterë. Çdo vit, 100 më të mirët në shkencat kompjuterike dërgoheshin në universitete ushtarake për t’u specializuar më tej. Disa prej tyre më pas dërgoheshin në Kinë ose Rusi për të mësuar programim të avancuar dhe teknika hakerimi. Në disa raste, ata ndiqnin edhe programe shkëmbimi në vende perëndimore, përfshirë Britaninë e Madhe.

Këto përvoja u jepnin mundësinë të njiheshin me sistemet kompjuterike të kompanive të mëdha ndërkombëtare, si dhe të fitonin njohuri në financë dhe inxhinieri.

Eksperti Nick Carlsen e krahasoi këtë sistem me programet shtetërore të Gjermanisë Lindore gjatë Luftës së Ftohtë, kur fëmijët me talent sportiv përzgjidheshin që në moshë të vogël dhe përgatiteshin për t’u bërë sportistë elitarë.

“E njëjta gjë është bërë në Korenë e Veriut me fëmijët që kanë aftësi të veçanta në matematikë. Ata identifikohen që në moshë të vogël dhe më pas zhvillohen”, tha ai.

Pas kthimit në vend, nxënësit më të dalluar rekrutoheshin në njësinë ushtarake famëkeqe “Unit 121”, e cila kryen sulme kibernetike me urdhër të regjimit. Objektivat e saj përfshijnë banka të huaja, institucione shtetërore dhe infrastrukturë kritike.

Në një vend ku shumica e popullsisë jeton në varfëri, kjo rrugë ofronte privilegje të mëdha. Hakerët më të mirë mund të zhvendosnin familjet e tyre në Phenian, ku u siguroheshin apartamente në zona të privilegjuara, shumë larg kushteve të vështira të jetesës në zonat rurale.

Ky sistem ishte ndërtuar kryesisht përpara se Kim Jong Un të merrte pushtetin në vitin 2011. Ai, i cili kishte jetuar dhe studiuar në Evropë, e kuptonte rëndësinë e internetit dhe të luftës kibernetike.

Sipas një raportimi të vitit 2013 nga agjencia e inteligjencës së Koresë së Jugut, Kim Jong Un e kishte cilësuar luftën kibernetike si një “armë universale”, që i jep ushtrisë mundësi të fuqishme goditjeje, krahas armëve bërthamore dhe raketave.

Në vitin 2019, sipas vlerësimeve të ndryshme, ushtria kibernetike e Koresë së Veriut numëronte nga 1,800 deri në 7,000 hakerë.

Nga sulmet ndaj kompanive te vjedhjet miliardëshe

Shenjat e para të fuqisë në rritje të hakerëve koreano-veriorë u shfaqën në vitin 2014, kur grupi i njohur si Lazarus sulmoi studion amerikane Sony Pictures. Sulmi shkatërroi sisteme të brendshme, vodhi të dhëna personale dhe tregtare, bllokoi kompjuterët e punonjësve dhe publikoi në internet filma që ende nuk kishin dalë në kinema, si dhe email-et e drejtuesve të kompanisë.

Objektivi ishte zgjedhur për shkak të filmit kontrovers “The Interview”, një komedi me aktorët Seth Rogen dhe James Franco, ku paraqitej një komplot për vrasjen e Kim Jong Un.

Dy vite më vonë, të njëjtët hakerë ndërmorën një tjetër sulm, këtë herë për të vjedhur para. Ata depërtuan në sistemin e Bankës Qendrore të Bangladeshit përmes një email-i mashtrues dhe tentuan të transferonin rreth 1 miliard dollarë në llogari të ndryshme në Azi.

Një fjalë në urdhrat e falsifikuar të transfertave aktivizoi rastësisht një alarm dhe ndaloi vazhdimin e operacionit. Megjithatë, hakerët arritën të largoheshin me 81 milionë dollarë.

Në atë periudhë, Shtetet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare po shtonin sanksionet ndaj Koresë së Veriut, duke synuar të ndërprisnin burimet e saj të paligjshme të të ardhurave. Në të njëjtën kohë, kriptomonedhat po fitonin gjithnjë e më shumë popullaritet si një sistem financiar alternativ, më i vështirë për t’u gjurmuar dhe kontrolluar.

Sipas Carlsen, vjedhja e kriptomonedhave ishte një mundësi shumë e favorshme për Phenianin, pikërisht në momentin kur vendit i nevojiteshin burime të reja financiare.

Ai vlerëson se hakerët koreano-veriorë kryejnë çdo vit dhjetëra mijëra, në mos qindra mijëra tentativa për vjedhje kibernetike. Jo të gjitha janë operacione të ndërlikuara. Shumë prej tyre synojnë shuma të vogla, duke u marrë disa qindra dollarë qytetarëve të zakonshëm dhe punonjësve të sektorit të teknologjisë.

Sipas ekspertëve, elementi i përbashkët në sulmet e Koresë së Veriut është gabimi njerëzor. Hakerët synojnë të mashtrojnë një person brenda kompanisë ose institucionit që kanë vënë në shënjestër.

Kjo teknikë njihet si “inxhinieri sociale” dhe përfshin email-e mashtruese, telefonata me zëra të krijuar nga inteligjenca artificiale dhe identitete të rreme. Qëllimi është që një punonjës të bëjë një gabim dhe t’u hapë rrugën sulmuesve drejt sistemeve të brendshme.

Në rastin e sulmit ndaj Binance, një punonjës u mashtrua gjatë një interviste të rreme pune, ndërsa një tjetër shkarkoi pa e kuptuar një program të dëmshëm. Sipas platformës së kriptomonedhave, hakerët arritën më pas të depërtonin në kuletat dixhitale dhe të merrnin mbi 6 miliardë dollarë brenda vetëm 20 minutash, sipas vlerësimit të TRM Labs.

Por vjedhja e kriptomonedhave nuk është hapi i fundit. Hakerët duhet t’i kthejnë ato në para që mund të përdoren lirisht nga regjimi.

Në sulmin e vitit 2025 ndaj platformës Bybit, ku u vodhën 1.5 miliardë dollarë në kriptomonedhën Ethereum, sulmuesit përdorën sisteme të quajtura “ura” për t’i kthyer asetet në Bitcoin. Kjo u mundësoi të përdornin mjete që fshehin origjinën e parave dhe të lëviznin shuma të mëdha.

Më pas nis procesi i pastrimit të parave, përmes transferimeve të përsëritura në platforma të ndryshme dhe përdorimit të shërbimeve që fshehin gjurmët e transaksioneve. Kjo u jep hakerëve disa orë avantazh përpara se hetuesit të arrijnë të identifikojnë lëvizjet e parave.

Në fazën përfundimtare, kriptomonedhat e vjedhura kthehen në USDT, një monedhë dixhitale që ndjek vlerën e dollarit amerikan. Më pas, sipas Carlsen, ato shiten përmes ndërmjetësve të paligjshëm kinezë. Në këmbim, Koreja e Veriut mund të marrë depozita bankare në Kinë, karta UnionPay ose para fizike, të cilat më pas kalojnë përmes rrjeteve të saj të pastrimit të parave.

Kina e ndaloi tregtimin dhe minimin e kriptomonedhave në vitin 2021, por aktivitetet e paligjshme në këtë sektor kanë vazhduar. Në vitin 2025, banka qendrore kineze paralajmëroi se monedhat virtuale dhe stablecoin-et mund të përdoreshin për aktivitete të paligjshme, përfshirë pastrimin e parave dhe transferimin e fondeve përtej kufijve.

Sipas ekspertëve të TRM Labs, edhe paratë e vjedhura nga Binance po kalojnë nëpër rrugë të reja për pastrimin e tyre dhe ky proces mund të zgjasë edhe disa muaj.

Megjithatë, jo e gjithë shuma e vjedhur përfundon në duart e hakerëve. Carlsen vlerëson se, pas dhjetëra transfertave dhe konvertimeve, si dhe bllokimit të një pjese të fondeve nga autoritetet apo platformat e kriptomonedhave, Koreja e Veriut arrin të përfitojë rreth 75 deri në 85 për qind të shumës fillestare.

Edhe kjo përqindje, në rastin e vjedhjeve si ato ndaj Bybit dhe Binance, përfaqëson shuma marramendëse.

Financimi i armëve bërthamore

Për regjimin e Koresë së Veriut, vjedhja e kriptomonedhave është kthyer në një burim të rëndësishëm të ardhurash dhe një mënyrë për të shmangur sanksionet ndërkombëtare, të cilat prej vitesh kanë kufizuar ekonominë e vendit.

Një raport i vitit 2024, i hartuar nga një grup ekspertësh i caktuar nga OKB-ja, vlerëson se operacionet kibernetike sigurojnë rreth gjysmën e të ardhurave valutore të Koresë së Veriut. Këto para mund të përdoren për blerjen e naftës dhe materialeve të tjera, por një pjesë e rëndësishme shkon edhe për financimin e programeve të armatimit.

Sipas të njëjtit raport, një shtet anëtar i OKB-së ka raportuar se 40 për qind e armëve të shkatërrimit në masë të Koresë së Veriut financohen përmes aktiviteteve të paligjshme kibernetike.

“Koreja e Veriut ka dërguar trupa, municione dhe pjesë përbërëse armësh në Rusi, të gjitha të financuara përmes të njëjtit sistem. Kjo është arsyeja pse një sulm ndaj një platforme kriptomonedhash përbën çështje të sigurisë kombëtare dhe jo thjesht një problem për kompaninë e prekur”, deklaroi Michael Barnhart, studiues në kompaninë e sigurisë kibernetike DTEX, për Reuters.

Raporti i OKB-së u bën thirrje shteteve, kompanive dhe individëve të forcojnë masat e sigurisë kibernetike. Ndërsa platformat e kriptomonedhave këshillohen të përmirësojnë sistemet e monitorimit dhe zbulimit të transaksioneve të dyshimta që mund të lidhen me Korenë e Veriut.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se parandalimi i këtyre sulmeve mbetet i vështirë dhe se përdorimi i inteligjencës artificiale mund t’i bëjë hakerët edhe më të fuqishëm. Në fillim të nëntorit, FBI publikoi detaje të reja për një operacion të Koresë së Veriut, përmes të cilit ishin vjedhur 400 milionë dollarë në kriptomonedha në mbarë botën gjatë 18 muajve. Sulmet ishin kryer përmes identiteteve të rreme, imitimeve me inteligjencë artificiale dhe takimeve të manipuluara me video.

“Nuk ka asnjë platformë kriptomonedhash më të madhe se Binance, ndaj mendoj se do të jetë e vështirë të tejkalohet kjo shifër. Por edhe për Bybit mendoja se ishte e vështirë të tejkalohej vjedhja, dhe ja ku jemi”, tha Carlsen.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Partia konservatore Popullore e Spanjës (PP) pritet të fitojë numrin…