Analistët: Emërimet në AKI, të kundërligjshme

25 nëntor 2019 | 18:20

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri në largim Ramush Haradinaj kanë emëruar të hënën për drejtor të ri të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Kreshnik Gashin, si dhe për Inspektor të Përgjithshëm të AKI-së, Burim Ramadanin.

Këto dy emërime nuk janë mirëpritur mirë nga njohësit e proceseve politike të cilët kanë theksuar se janë emërime të kundërligjshme.

Analisti politik, Blerim Vela, ka thënë se politizimi i institucioneve shtetërore ishte arsyeja pse PDK-ja dhe AAK-ja i humben zgjedhjet, por sipas tij, këto parti po vazhdojnë kapjen e shtetit edhe në periudhën paszgjedhore. “Kjo tregon sa pak integritet kane politikanet e gjeneratës së ‘cubokracisë’. Qeveria e re LV dhe LDK duhet të ‘çlirojnë’ secilin institucion shtetëror nga aparatçiket politik dhe të lejojnë profesionistët që janë besnik vetëm ndaj interesit shtetëror dhe Kushtetutës t’i udhëheqin ato”, ka shkruar Vela në llogarinë e vet në “Facebook”.

Edhe analisti tjetër politik, Armend Muja, ka thënë se këto nominime janë të gabuara për tri arsye: janë të kundërligjshme, nuk përfaqësojnë realitetin politik dhe kandidaturat janë politike.

“Kushtetuta e Kosovës (Neni 94.8) parasheh qe kryeministri së bashku me presidentin emërojnë drejtorin dhe Inspektorin e AKI-se. Megjithatë, z. Haradinaj nuk është kryeministër i Kosovës. Ai është ish-kryeministër që ka dhënë dorëheqje të parevokueshme. Kandidaturat nuk janë apartiake siç e kërkon Ligji për AKI (Neni 17). Punonjësit e AKI-së nuk mund të jenë anëtarë të partive politike. Unë nuk kam informacion të plotë për z. Gashi por është evidente që z. Ramadani ishte kandidat politik në zgjedhjet 2019”, ka shkruar Muja në llogarinë e vet në “Facebook”.

Muja ka thënë se në krye të AKI-së nuk duhet të vijnë persona me të kaluar apo anëtarë të partive politike apo që perceptohen si të tillë.

 

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretarja organizative e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika…