Afera ‘Yukos’, gjykata urdhëron Rusinë të paguajë miliarda dollarë kompensim

18 shkurt 2020 | 16:15

Një gjykatë në Holandë e ka mbështetur apelin e disa aksionarëve që kërkojnë dëmshpërblim nga shteti rus për prishjen e kompanisë dikur të fuqishme të naftës, “Yukos”.

Gjykata e Apelit në Hagë ka bërë me dije se vendimi i mëparshëm i drejtësisë holandeze në favor të shtetit rus, ka qenë jokorrekt.

Vendimi i së martës e rikthen në fuqi vendimin e ndërmarrë nga Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit për 50 miliardë dollarë kompensim.

Beteja ligjore, megjithatë, pritet të vazhdojë, pasi Rusia ka thënë se planifikon ta apelojë vendimin e ri.

Afera “Yukos” është bërë simbol i vendosmërisë së presidentit rus, Vladimir Putin, për të frenuar pushtetin e oligarkëve që janë pasuruar nga ankandet e privatizimit në vitet 1990.

Ish-shefi i “Yukos”, Mikhail Khodorkovsky, kritik i zëshëm i Putinit, është arrestuar në vitin 2003 dhe firma ka falimentuar më 2006.

Khodorkovsky ka kaluar 10 vjet në burg, përpara se të falej nga Putini, dhe tani jeton në Londër.

Pjesën më të madhe të biznesit të “Yukos” e ka marrë përsipër kompania shtetërore “Rosneft”, e cila tani është një nga firmat më të fuqishme të energjisë në Rusi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas ekspertëve, mpiksja e gjakut në vena e njohur ndryshe…