Disa ish-ushtarë serbë duan të kthehen në FSK
Mbi 50 pjesëtarë komunitetit serb shërbejnë në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Numri i tyre ishte edhe më i madh vite më parë. Megjithatë, shumë nga ta kanë hequr dorë nga uniforma e ushtrisë së Kosovës për shkak të presionit ndaj tyre nga Beogradi.
Edhe komandanti i kësaj force e pranon se ata u larguan pasi ishin të kërcënuar me jetë, madje edhe familjet e tyre, pavarësisht performancës së mirë të tyre.
Por, disa nga ata që u larguan kanë parashtruar kërkesë për t’u rikthyer në Ushtrinë e Kosovës, por një gjë e tillë, sipas Rrahman Ramës, është e pamundur.
Kreu i ushtrisë së Kosovës u ka bërë thirrje pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve që të aplikojnë për t’u bërë pjesëtarë të FSK-së në qershor kur pritet të hapet konkursi për kadetë të rinj.



