Keqardhje që Gjykata Kushtetuese i jep krah kapjes së shtetit
Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi, ka thënë se vendimi i mbrëmshëm i Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë presidentit Hashim Thaçi është precedent më i rrezikshëm që mund të lejojë një vend demokratik.
“Gjykata Kushtetuese mbrëmë në mënyrë tinëzare, në mbrëmje vonë ka shembur rendin kushtetues, duke përkrahur shembjen e rendit demokratik dhe vullnetin qytetar”, ka shkruar Abazi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se argumentimi dhe arsyetimi i vendimit është politik dhe antidemokratik dhe asnjëherë ligjor e kushtetues.
Postimi i plotë i tij:
Ajo çfarë po thotë gjykata kushtetuese është se pavarësisht zgjedhjeve, pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve, presidenti në një Republikë Parlamentare si kjo e jona paska të drejtë të mandatojë këdo që me qëllim ka sabotuar rezultatin e zgjedhjeve paraprakisht sepse e ka parë mundësinë që të marrë pozitën e kryeministrit. Ky vendim përkrah rrëzimin e qeverisë me fituesin 50 ditë pas formimit – ky është precedenti më i rrezikshëm që mund të lejojë një vend demokratik.
Gjykata Kushtetuese përmend numrin e votave të mocionit – “harron” që aty janë 20 vota minoritare që nuk kalojnë fare në sistemin e votimit dhe janë së paku 20 të tjerë të inkriminuar e të “favorizuar” / kushtëzuar se si duhet votuar.
Gjykata Kushtetuese mbrëmë në mënyrë tinëzare, në mbrëmje vonë ka shembur rendin kushtetues, duke përkrahur shembjen e rendit demokratik dhe vullnetin qytetarë.
Argumentimi dhe arsyetimi i vendimit është politik dhe antidemokratik dhe asnjëherë ligjor e kushtetues.
Keqardhje që Gjykata Kushtetuese bëhet amplifikatori i së keqes dhe i jep krah kapjes së shtetit.
(M.Q / Epoka e re)
Lexo edhe:



