Këta pritet të jenë deputetët e AAK-së në Kuvend, në mesin e tyre edhe Besnik Tahiri

25 shkurt 2021 | 11:12

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka publikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Nga 84% e votave të numëruara deri më tash pa përfshirë votat me kusht dhe ato të diasporës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ende nuk e ka kuptuar saktë se kush do të jenë deputetët e saj në legjislaturën e tetë të Kuvendit.

Por, pavarësisht kësaj Telegrafi mëson se deri më tash numrin më të madh të votave e ka kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj.

Pas tij renditet Daut Haradinaj i cili gjithashtu ka arritur të marrë një numër të konsiderueshëm të votave.

Pjesë e legjislaturës së tetë të Kuvendit nga AAK-ja do të jetë sërish Time Kadrijaj e cila bazuar në numrin e votave nga vendvotimet del të jetë femra më e votuar nga ky subjekt.

Vota të mjaftueshme për të hyrë deputet ka siguruar edhe Bekë Berisha, Albena Reshitaj dhe Besnik Tahiri i cili do të jetë për herë të parë në Kuvend.

Telegrafi po ashtu mëson se garë e ngushtë është edhe në mes kandidatëve të tjerë të AAK-së, siç janë Shemsedin Dreshaj e Pal Lekaj ku diferenca e votave mes tyre është shumë e vogël.

Votat me kusht dhe ato me diasporë pritet të nxjerrin deputetët e ri të kësaj partie.

Në rast se AAK-ja do të ketë nëntë deputetë në Kuvend, ku sipas kuotës gjinore atëherë i bie që AAK-ja të ketë tri deputete gra, gara do të jetë midis Florentina Gjergjajt, Albana Bytyçit dhe Meliza Haradinaj-Stublla, ku për dallim nga ministrja në detyrë, Gjergjaj dhe Bytyçi janë më afër për të siguruar ulësen në Kuvend.

Mbetet të shihet se pas numërimit të votave me kusht dhe atyre të diasporës si do të jenë rezultatet përfundimtare të këtyre kandidatëve për deputetë.

Kujtojmë se në zgjedhjet e 14 shkurtit nga rezultatet preliminare të publikuara nga KQZ-ja, AAK-ja renditet partia e katërt me 7.43% apo 58,743 vota.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tri ndeshjet e javës së 21-të në Superligën e Kosovës…