Deputetët e PDK-së shkojnë në Rezallë nderojnë 98 martirët e kombit
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, së bashku me deputetë të kësaj partie kanë shkuar në Rezallë për të kujtuar e nderuar 98 martirët e kombit, që u vranë në prag të shtëpisë nga policia dhe ushtria serbe më 5 prill të vitit 1999.
Ai ka thënë se masakra e Rezallës është dëshmi e pastër mbi regjimin serb, që mbështetej në gjenocid dhe mbështeste gjenocidin ndaj popullit civil shqiptar.

“Atë çfarë regjimi serb nuk mund ta bënte ndaj UҪK-së, e kërkonte si shpagim ndaj civilëve të paarmatosur, pleqve, grave dhe fëmijëve, ngjashëm siç na tregon historia e kësaj masakre. Si kudo nëpër Kosovë, ndaj këtyre martirëve u bë edhe krimi i dyfishtë përmes zhdukjes së trupave, që bashkë me ta të zhduken edhe dëshmitë. Kjo ka qenë barra dhe agonia e vazhdueshme përgjatë këtyre 22 viteve për familjet, për shtetin dhe të gjithë shoqërinë tonë”, ka thënë Tahiri.

Ai ka theksuar se nuk do ta harrojnë dhe nuk kanë për të harruar kurrë, derisa drejtësia ta vë para përgjegjësisë edhe kriminelin e fundit që është përgjegjës për këtë masakër.
“Lavdi e nderim të përjetshëm për martirët e Rezallës”, ka thënë Tahiri.



