Jepet njoftimi se Osmani dhe Konjufca vaksinohen kundër Covidit, por nuk publikohet asnjë foto duke marrë vaksinën

13 qershor 2021 | 09:32

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kanë marrë dozën e parë të vaksinës ndaj Covid-19.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se Osmani dhe Konjufca u vaksinuan në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Por asnjë foto e tyre nuk është bërë publike gjatë marrjes së vaksinës, për dallim nga këta kryeministri Albin Kurti ka publikuar foto duke marrë vaksinën dhe kanë qenë të pranishme mediat.

Osmani dhe Konjufca siç njofton MSh-ja u vaksinuan me dozën e parë të vaksinës kundër Covid-19 në përputhje me planin për vaksinim të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ata shprehën mirënjohjen e tyre për Ministrinë e Shëndetësisë dhe personelin shëndetësor për sigurimin e vaksinave dhe procesin e vaksinimit.

Presidentja Osmani, me këtë rast ka porositur të gjithë qytetarët që sapo të fillojë vaksinimi masiv, t’i përgjigjen ftesës për vaksinim të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Vaksinat janë të sigurta dhe vetëm përmes vaksinimit dhe respektimit të masave, do të mund t’i kthehemi normalitetit duke mposhtur virusin Covid-19”, ka deklaruar Osmani.

Sipas saj, vaksina duhet të kuptohet edhe si përgjegjësi, ngase krijojnë siguri dhe mundësojnë këndelljen ekonomike të vendit nga pasojat e pandemisë.

Edhe kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka ftuar qytetarët që ta marrin vaksinën, sepse është zgjidhja më e mirë kundër Covid-19.

Sipas tij, me vaksinim lehtësohet edhe shteti, ngase bëhet e mundshme hapja, rikthimi i normalitetit, por edhe stabilitet i përgjithshëm.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se deri tani nga afër 100 mijë qytetarë të vaksinuar, nuk ka pasur asnjë efekt serioz anësor dhe se vaksinat janë të sigurta dhe ky proces po ecën sipas planit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ne orët e mesditës një 40- vjeçar nga Kosova ka…