Diskutohet për grantin e performancës komunale

29 tetor 2021 | 13:27

Bashkëpunimi për fazën e re të grantit të performancës për periudhën 2022 – 2025, draftimi i ligjit të ri të bazuar në grantin e performancës komunale dhe temat e tjera me interes të përbashkët ishin pikat kyçe të diskutimit në mes të përfaqësuesve nga Qeveria e Kosovës dhe donatorëve nga granti i performancës komunale.

Në këtë takim përfaqësues nga Qeveria e Kosovës ishin zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ndërsa nga donatorët të cilët bashkëfinancojnë grantin e performancës ishin ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, përfaqësues nga Ambasada Suedeze, përfaqësues nga ambasada Norvegjeze si dhe nga zyra e BE-së në Kosovë.

Granti i performancës komunale ka për qëllim të nxisë konkurrencën ndërmjet komunave në Kosovë duke ndarë mjete bazuar në meritokraci dhe kritere të qarta.

Ky grant ka marrë vlerësime të larta në raportin e progresit dhe shihet si model i cili duhet të zgjerohet dhe insitucionalizohet në kuadër të qeverisë.

Programi bashkëfinancohet nga MAPL-ja, Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada Zvicerane, Suedeze dhe Norvegjeze dhe parashihet të ketë një vlerë mbi 34 milionë euro për katër vitet e ardhshme duke mos përfshirë asistencën teknike.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Sektori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural është i një…