Kosova parakalon në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore

04 shkurt 2022 | 14:12

Skitari Albin Tahiri e ka bartur flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore “Pekin 2022”. Në këto lojëra Kosova përfaqësohet me dy sportistë, Albin Tahiri dhe Kiana Kryeziu, të cilat do të mbahen nga 4 deri më 20 shkurt.

Ekipi olimpik i Kosovës ka parakaluar të premten në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore “Pekin 2022” të cilat do të mbahen nga 4 deri më 20 shkurt. Flamurin e Kosovës e mbajti i vetëm skitari Albin Tahiri, pasi skitarja Kiana Kryeziu mungoi për shkak se trajneri Agim Pupovci ka rezultuar pozitiv në testin për Covid-19.

Ekipi i Kosovës, i përbërë nga pesë persona, ka parakaluar i 54-ti nga 91 ekipe olimpike pjesëmarrëse. Ky ekip përbëhet nga Bujar Turjaka, shef i misionit, Jeton Beqiri, zyrtar ndërlidhës për Covid-19, Musa Selimi, anëtar i Bordit Ekzekutiv të KOK-ut dhe Kushtrim Krasniqi, përgjegjës për medie. Kosova në këto lojëra përfaqësohet nga dy sportistë, Albin Tahiri dhe Kiana Kryeziu.

Në stadiumin kombëtar në Pekin të Kinës, ekipi i parë olimpik që ka parakaluar ishte Greqia, pasi ky shtet njihet si themelues i Lojërave Olimpike. Gjatë Olimpiadës Albin Tahiri do të garojë në katër disiplina të skijimit alpin, sllallom, sllallom i madh, lëshim dhe kombinim alpin, derisa Kryeziu do të garojë në disiplinën sllallom i madh.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuar në Prishtinë, Jeff Hovenier, nëpërmjet një postimi në “Twitter”, i ka uruar fat dhe sukses ekipit olimpik të Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore. “I uroj ekipit të Kosovës – dyshes dinamike Kiana Kryeziu, gruas së parë që e përfaqëson Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore dhe Albin Tahirit, garuesit të parë të Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore – shumë fat dhe sukses në garë për medalje të artë”, ka shkruar Hovenier.

Pas parakalimit në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpikë Dimërore në profilin e vet në “Facebook” ka shkruar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. “Jam jashtëzakonisht i lumtur për defilimin e sotëm të sportistëve tanë në Lojërat Olimpike Dimërore ‘Pekini 2022’. Kosova jonë po valëvitë flamurin e saj nëpër qendrat më të mëdha botërore për vite me radhë falë përkushtimit dhe sukseseve të sportistëve tanë. U uroj Kianës dhe Albinit që të korrin suksese dhe t’i bashkohen Majlindës, Norës e Distrias në podiumin e të artëve”, ka shkruar Haradinaj.

/Veton ZYMBERI/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti Shkodran Ramadani ka komentuar kompensimet e shpenzimeve të udhëtimit…