Musk dëshiron të blejë Twitter-in për 43 miliardë dollarë

14 prill 2022 | 16:36

Musk ofroi 54,20 dollarë për aksion, që në total i bie rreth 43 miliardë dollarë për të blerë Twitter-in

Elon Musk, themeluesi i prodhuesit të makinave elektrike Tesla dhe kompanisë së kërkimeve hapësinore SpaceX, shprehu dëshirën e tij që të blejë Twitter-in, vetëm disa ditë pasi tha se nuk do t’i bashkohej bordit të njërës prej platformave më të njohura të mediave sociale, raporton Anadolu Agency (AA).

Kompania në një konferencë tha se Musk, i cili aktualisht zotëron 9,2 për qind të aksioneve të Twitter-it, dorëzoi një letër të mërkurën duke përshkruar një propozim për të blerë aksionet e mbetura në Twitter.

Musk ofroi 54,20 dollarë për aksion, që në total i bie rreth 43 miliardë dollarë për të blerë Twitter-in.

“Kam investuar në Twitter sepse besoj në potencialin e tij për të qenë një platformë për lirinë e fjalës në mbarë botën dhe besoj se liria e fjalës është domosdoshmëri sociale e një demokracie funksionale”, tha Musk në një deklaratë.

Ai shtoi se pasi investoi, kuptoi se “kompania as nuk do të përparojë dhe as do t’i shërbejë këtij imperativi social në formën e tij aktuale”. “Twitter duhet të shndërrohet në një kompani private”, tha Musk.

Musk vuri në dukje se oferta e tij është përfundimtare dhe tha se nëse nuk pranohet, do të duhet të rishqyrtojë pozicionin e tij si aksionar.

“Twitter ka një potencial të jashtëzakonshëm. Unë do ta zhbllokoj atë”, shtoi ai.

Musk iu ofrua një vend në bord pasi bleu 9,2 për qind të aksioneve në Twitter, duke u bërë një nga aksionarët më të mëdhenj të kompanisë, por ai nuk pranoi.

Çmimi i aksioneve të Twitter në bursën e New Yorkut u rrit me 3,1 për qind në 45.85 dollarë për aksion.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është shtyrë për të martën seanca e Kuvendit të Kosovës.…