Berisha kërkon ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Rusinë
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka folur për mediat pas përfundimit të seancës plenare gjatë së cilës foli presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Gjatë fjalës së tij, ndër të tjera Berisha ka kërkuar ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Rusinë.
Po ashtu, Berisha ka kërkuar që ambasadori rus në Shqipëri të largohet, ndërsa ai shqiptar të tërhiqet nga Moska.
“Qëndresa e kombit ukrainas është një frymëzim i madh për të gjithë ata që e duan lirinë dhe besojnë te vlerat e saj. Që në ditët e para të agresionit kemi ngritur zërin tonë në këtë parlament për ndihma konkrete të gjithanshme ndaj këtij kombi. Shqipëria është e rreshtuar në anën e NATO-s, OKB ka dhënë ndihmesën e vet. Ajo që na turpëroi sot është qëndrimi i dyzyar i Edi Ramës gjatë këtyre muajve të këtij agresioni barbar. Në njërën anë votohej për dënimin e tij në Këshillin e Sigurimit, nga ana tjetër promovohet ideja ruso-serbe e Ballkanit të Hapur që i hap rrugë hegjemonisë serbe, influencës ruse në rajon. Shpallja e ftesës së Edi Ramës për turistët rusë në Shqipëri. Imagjinoni, vrasës, përdhunues…pasi kryejnë masakra të vinë e të dynden në plazhet tona për të marrë veten. Kjo ishte fyerje e rëndë për Shqipërinë”, ka thënë Berisha.



