Asamblisti i PDK-së i shkruan kryetarit të Rahovecit, kërkon që ‘Sunny Hill’ të mbahet në Krushë të Madhe
Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Rahovec, Sejfullah Sejfullahu, ka reaguar pas zhvendosjes se festivalit “Sunny Hill” nga Prishtina në Tiranë.
Me këtë rast, Sejfullahu i ka shkruar letër publike kryetarit të Rahovecit, Smajl Latifi. Në këtë letër, ai ka kërkuar nga Latifi ta kontaktojë bordin e “Sunny Hill” për ta ftuar që festivali të mbahet në Krushë të Madhe.
Letra e plotë e Sejfullah Sejfullahut e publikuar në llogarinë e vet në “Facebook”:
I nderuar kryetar i Komunës, z. Smajl Latifi,
Duke parë hezitimin dhe mosinteresimin e institucioneve për organizimin e festivalit “SUNNY HILL”, dhe me qëllimin më të mirë nevojën për vazhdimin e këtij festivali në Kosovë, ju ftoj e inkurajoj që të kontaktoni bordin e këtij festivali, gjegjësisht z. Dukagjin Lipa, e ta ftoni që festivali të mbahet në komunën tonë, konkretisht në Krushë të Madhe.
Arsyetim:
– Kemi 2 ambiente të përshtatshme, ku mundet me u mbajt në fshatin tonë, me gjithë infrastrukturën e nevojshme (kuptohet më pak organizim mundemi ca gjera me i rregulluar),
– Tashmë, kemi përvojën në organizimin e festivaleve të shumta në komunën tonë, siç janë “HARDH FESTI”, “AGRO FESTA”, etj.
– Jam i sigurt se kemi konsensusin e plot të të gjithë akterëve dhe s’do kemi ndonjë kundërshtim,
– Do dalim faqebardhë para këngëtares e artistes se madhe ikonë, Dua Lipa, themeluesit të festivalit, z. Dukagjin Lipa dhe gjithë artdashëseve jo vetëm kosovar,
– Është nder dhe interes ekonomik e kulturor edhe për qytetarët e komunës tonë, gjegjësisht Krushës, që ky festival të mbahet në fshatin emblematik, në Krushë të Madhe.
Do ta keni mbështetjen tonë.
Me respekt, nga artdashësi, asamblisti e miku juaj,
Sejfullah Sejfullahu,
Krushë e Madhe, 15.06.2022