Çeku: Është interes kombëtar ta kemi stadiumin e Gjilanit me standarde ndërkombëtare

14 shtator 2022 | 14:53

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur në takim pune ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, prej të cilit ka marrë mbështetjen për realizimin e disa projekteve të përbashkëta dhe të projekteve që janë nisma të komunës së Gjilanit. “Diskutuam rreth projekteve që janë në zhvillim e sipër e për projektet dhe idetë e reja që ne si komunë mendojmë t’i realizojmë. Është një qasje e re e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por në të njëjtën kohë edhe ne si komunë po mundohemi që të jemi sa më kreativë që është e mundur që t’i plotësojmë nevojat elementare e bazike për komunitetin sportiv e artistik”, ka deklaruar, pas takimit, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni. “Po ashtu, sot e kam shfrytëzuar rastin që ta njoftoj ministrin Çeku për zhvillimin e punimeve në palestrën e sporteve në Zhegër për situatën rreth stadiumit të qytetit, duke e ditur faktin se ministri që nga fillimi i mandatit një prej top prioriteteve e ka pasur zgjidhjen e problemit të këtij stadiumi. Detajet që i kemi nxjerrë dhe që janë qartësuar për opinionin kanë treguar për defektet e mëdha në stadiumin e Gjilanit. Tash kemi arritur në një fazë që projektit po i jepet energji e re dhe frymë e re dhe në të njëjtën kohë do të qartësohen edhe problemet e fundit në mënyrë që stadiumi i qytetit të fillojë të punohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shtuar kreu i Gjilanit.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, pasi e ka falënderuar kryetarin Hyseni për pritjen, ka thënë se në Gjilan ka ardhur për t’i dinamizuar projektet e investimeve kapitale, programet e tjera të përbashkëta e projektet e reja të sportit, artit e rinisë. Ministri Çeku tha se Gjilani e ka pasur dhe do ta ketë primatin e investimeve në trashëgiminë kulturore, ndërkaq ka konfirmuar se mbështetjen ndaj nismës së komunës së Gjilanit për ta shndërruar Kalanë e Pogragjës dhe gjithë ambientin aty në atraksion turistik. Për palestrën e Zhegrës, ministri Çeku tha se janë duke u kujdesur në veçanti, duke shtuar se tashmë ky projekt po shkon në fazën përfundimtare të realizimit të punimeve në mënyrë që të jetë në shërbim të sportistëve e rinisë.

Duke folur për stadiumin e qytetit, ministri Çeku ka thënë se tashmë kemi hyrë në fazën e zgjidhjes së këtij ngërçi afatgjatë, duke shtuar se është interes kombëtar që ta kemi të përfunduar këtë stadium në kohën më optimale me standardet e përmbushura ndërkombëtare. “Sa i përket stadiumit, tashmë kemi hyrë në fazën e zgjidhjes së këtij ngërçi afatgjatë, fatkeqësisht. Kemi filluar fazën e hartimit të projektit për fazën përfundimtare të ndërtimit të stadiumit të qytetit, i cili përfundimisht na e nxjerr koston, rrugën dhe na tregon kohën që na duhet për ta realizuar përfundimisht këtë investim shumë të rëndësishëm jo vetëm për Gjilanin, sepse një stadium i këtillë i duhet edhe Kosovës, sidomos për garat ndërkombëtare. Është interes kombëtar që ta kemi të përfunduar këtë stadium në kohën më optimale me standardet e përmbushura ndërkombëtare”, ka deklaruar ai. “Ky projekt nuk ka ekzistuar asnjëherë sepse është punuar me faza dhe asnjëherë nuk ka pasur projekt përfundimtar. Në momentin që e kemi projektin profesional me të gjitha standardet, do të kalojmë në kontraktimin e punimeve dhe do të bëjmë më të mirën që brenda kohës më optimale, në bashkëpunim me kryetarin e komunës, të vazhdojmë ta trajtojmë me shumë prioritet përfundimin e punimeve në stadiumin e Gjilanit”, ka shtuar ministri Çeku.

Ministri i MKRS-së ka thënë po e shqyrtojnë mundësinë e mbështetjes edhe ndaj nismës së komunës për projektin “xhepat e gjelbër të lagjeve” për ta bashkëfinancuar ndërtimin e fasciliteteve sportive dhe kulturore, por edhe për projektin tjetër të komunës për Qendrën e Kulturës, derisa ka dhënë zotimin për bashkëfinancim edhe të manifestimit kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2023”. Në fund, ministri Çeku tha se nga kryetari Hyseni ka kërkuar lokacion të përshtatshëm për ndërtimin e palestrës së xhudos dhe për ndërtimin e një shtëpie të shahut. “Tashmë kryetari Hyseni është në komunikim edhe me federatat përkatëse dhe në momentin që i kemi lokacionet, ne do t’i nisim procedurat për ndërtimin e këtyre palestrave të reja, një për xhudon e një për shahun”, ka thënë ministri Çeku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Diskutime të forta ka ngjallur paraqitja e Meghan Markle pas…