Kurti: Orëve të fundit, institucionet kanë shtuar edhe më shumë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se “demokracia nuk mund të suspendohet, e as të mbahet peng”, derisa ka shprehur mbështetjen e plotë institucionale për kryetarët e rinj të komunave veriore.
Pa marrë parasysh kërkesave të Shteteve të Bashkuara që Qeveria mos të insistojë që kryetarët të punojnë nga ndërtesat komunale dhe t’i tërheqë zyrtarët policorë nga tri ndërtesat e komunave në veri, Kurti tha se kryetarët e dalë nga zgjedhjet e 23 prillit “janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave, dhe në shërbim të qytetarëve”.
Ai ka theksuar se Republika e Kosovës është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor. “Me institucione qeverisëse dhe të sigurisë të cilat trajnimet profesionale dhe orientimin vleror e kanë nga dhe kah shoqëritë perëndimore”, ka pohuar Kurti.
Kryeministri Kurti ka thënë se orëve të fundit, institucionet tona kanë shtuar edhe më shumë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë.
“Orëve të fundit, institucionet tona kanë shtuar edhe më shumë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë, sepse qetësimin e situatës e kemi qëllim të përbashkët. Por përveç shqetësimeve dhe brengave, dje na u dëshmua para syve se edhe kërcënimet dhe rreziqet i kemi të përbashkëta”, ka theksuar Kurti në një video të postuar në “Facebook”.



