Situata në veri, AAK-ja del me shtatë qëndrime, njëra ndër to dorëheqja e Kurtit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është thellësisht e shqetësuar për situatën e rëndë politike dhe të sigurisë në vend dhe ka paraqitur këto shtatë qëndrime.
Njëra ndër to është dorëheqja e Kurtit nga posti i kryeministrit.
“1. Kryesia AAK-së e dënon ashpër kidnapimin e tre policëve, duke e konsideruar si provokim të drejtpërdrejtë nga Qeveria në Beograd. Kërkojmë nga Presidenti i Serbisë, t’i lirojë menjëherë zyrtarët tonë policorë. 2. Politikat e Albin Kurtit i konsideron si akte kundër Kosovës që e çojnë Kosovën buzë shkatërrimit, dezintegrimit, dhe forcimit të Asociacionit.
3. Kryeministri i Kosovës, me qasjen e tij anti shtetërore, ka rrezikuar deri në pakthim krejt arritjet e përbashkëta të Kosovës me partnerët euro-atlantikë në projektin e ndërtimit të shtetit të Kosovës. 4. Veprimet e tij avantureske në veriun e Kosovës, dhe shpërfillja e miqve tanë euro-atlantikë, në krye me ShBA-në, kanë rezultuar me sanksione dhe përshkallëzim deri në kufi të konfliktit të hapur. 5. Reagimi me vonesë i kryeministrit për çdo situatë të krijuar, u pa si pabesi e Qeverisë ndaj partnerëve dhe ka bërë, që regjimi në Beograd, që është shkaktari kryesor i krizës në veri, të trajtohet si shtet i besueshëm e Kosova si fajtore. 6. Duke marrë për bazë këto gabime dhe dëme që i janë shkaktuar vendit, kërkojmë nga kryeministri të dorëhiqet menjëherë dhe mos të rrezikojë vendin. 7. Njëkohësisht, kërkojmë nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja që ta mbështesin Kosovën dhe popullin e saj në këto momente të vështira për gjetjen e zgjidhjes së vetme, që është zbatimi i Marrëveshjës së Ohrit, si garancë e sovranitetit dhe subjektivitetit ndërkombëtar të vendit”, theksohet në njoftimin e AAK-së.



