Enver Dugolli: Reagim në mos-reagim!
Ish-i burgosuri politik Enver Dugolli, ka reaguar ndaj deklaratave publike te Sami Lushtakut i cili ka shprehur mosbesim dhe dilema për ish të burgosurit shqiptarë të cilët kanë kaluar nëpër kazamatet serbe.
Dugolli ka thënë se “të burgosurit politik janë historia dhe ndërgjegje jonë kombëtare pa të cilët nuk do kishim as UÇK-në, as lirinë e as Pavarësinë. Kjo kategori e ndritshme e shoqërisë sonë, e shtrirë nder breza, edhe sot si gjithnjë, po japin kontributin e vet të çmuar duke ruajtur trashëgiminë e aktivizimit dhe sakrificës, me, apo pa parti”.
Reagimi i plotë i ish-të burgosurit politik, Enver Dugolli:
Reagim në Mos-reagim!
Po bëhen 5 ditë që kur një zyrtar i lartë politik i PDK-së (Sami Lushtaku), përmes një emisioni televiziv me frekuenca nacionale, fyen të gjithë të burgosurit politik duke shprehur haptazi mosbesim dhe dilema për figurën e të burgosurve politik. “Të gjithë ata që kanë kaluar nëpër kazamatet jugosllave të Beogradit janë të pabesueshëm dhe pikë “, shprehet ai duke i portretizuar këtë kategori të shoqërisë dhe historisë sonë si njerëz të dyshimtë.
Bindjet e tilla përveçse janë të gabueshme dhe të pasakta janë thirrje për linçim ndaj një kategorie historike të dëshmuar për liri, barazi demokraci e pavarësisë. Krejt në këtë mes, habia ime nuk ka të bëjë vetëm me deklarimin e tij, por ka të bëjë edhe me heshtjen absolute dhe mos distancimin e PDK-së nga kjo deklaratë, e cila në radhët e veta ka një numër të konsiderueshëm të kësaj kategorie. Nëse udhëheqësit e PDK-së bëjnë kalkulime të ndryshme partiake për të ruajtur kohezionin brenda strukturave (edhe me kushtin që të gëlltisin një fyerje kaq të madhe), anëtarësia dhe të burgosurit politik, anëtar të kësaj partive, nuk do duhej të heshtnin.
Të burgosurit politik janë historia dhe ndërgjegje jonë kombëtare pa të cilët nuk do kishim as UÇK-në, as lirinë e as Pavarësinë. Kjo kategori e ndritshme e shoqërisë sonë, e shtrirë nder breza, edhe sot si gjithnjë, po japin kontributin e vet të çmuar duke ruajtur trashëgiminë e aktivizimit dhe sakrificës, me, apo pa parti.