A do të jetë asociacioni në agjendën e takimit të 27 shkurtit? Kjo është përgjigjja e Lajçakut

24 shkurt 2023 | 13:48

“Pritjet tona janë goxha të larta”, ka thënë Miroslav Lajçak për takimin e së hënës në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, të cilin emisari special i Bashkimit Evropian (BE) do ta ndërmjetësojë.

Lajçaku ka thënë se ky është takimi i parë ku do të diskutohet propozimi evropian.

“Përderisa ky është takimi i gjashtë me radhë mes Kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vuçiq, ai do të jetë i pari që i kushtohet propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Ne presim që, pikë së pari, të dy liderët zyrtarisht dhe publikisht ta pranojnë propozimin dhe më pas mund të angazhohemi në zbatimin e tij, për t’u siguruar se gjithçka e pritshme është po ashtu edhe e zbatueshme. Kjo është çka presim nga takimi i së hënës”, ka thënë ai.

Lajçaku ka thënë se Kurti dhe Vuçiqi janë detajisht të njoftuar me atë që e përmban propozimi evropian dhe se në Konferencën e Mynihut, që u mbajt javën e kaluar, u është thënë qartazi se çka Perëndimi pret prej tyre.

“Kam pasur disa takime me të dy liderët, ndarazi. Ata janë të njohur me propozimin, sigurisht, për secilin detaj. Javën e kaluar, gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, janë takuar me përfaqësuesin e lartë, Josep Borrell, kancelarin gjerman, Scholz dhe presidentin francez, Makron” , ka thënë Lajçak në një intervistë për “The Pavlovic Today”.

“Ata e kanë dëgjuar mjaft qartë se çka pritet, çka Bashkimi Evropian pret prej tyre , dhe po ashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse ShBA-ja përkrah shumë fuqishëm këtë propozim”, ka thënë Lajçaku.

I pyetur nëse Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të jetë në agjendën e takimit të së hënës, Lajçaku ka thënë:

“Çka do të jetë në agjendë është propozimi. Dhe, propozimi përmban nivelin e përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. Dhe, gjëra të tjera”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas kualifikimit një natë më parë, skuadrat e Ligës së…