Abdixhiku: Është obligim i secilit që të punojmë për Kosovën, kështu nderojmë familjen Jashari

05 mars 2024 | 12:49

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku në 26-vjetorin e “Epopesë së UÇK”-së, ka përkujtuar sakrificën sublime të familjes Jashari.

Abidixhiku ka thënë se i kujton me nder e krenari, fëmijët, gratë dhe burrat, siç i ka quajtur ai, më të mirët e kombit, që kanë sakrifikuar jetën për lirinë e Kosovës.

“Datat 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 shënojnë ngjarjen më kulminante në luftën e Kosovës për liri e çlirim; sakrificën sublime të Familjes Jashari e me këtë dhe fillimin e fundit të përpjekjes sonë shekullore për liri. Sot, në këtë 26 vjetor të Epopesë së UÇK-së, ne i kujtojmë me nder e krenari, fëmijët, gratë dhe burrat më të mirë të kombit që sakrifikuan jetën për lirinë dhe shtetin që e gëzojmë sot”,  ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.

Më tutje, Abdixhiku ka thënë se është obligim i secilit që të punojnë për forcimin dhe avancimin e Kosovës, sepse siç thotë ai, në këtë mënyrë nderohen familja Jashari dhe të gjithë të rënët për lirinë e vendit.

“Është obligim i secilit nga ne që të punojmë fort çdo ditë e më shumë në forcimin dhe avancimin e shtetit tonë, sepse vetëm kështu i nderojmë dhe e dërgojmë në vend amanetin e të rënëve të familjes Jashari dhe gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Interit, Simone Inzaghi e ka lavdëruar publikisht mesfushorin…