Kryetari i FFK-së, Agim Ademi ka pritur në takim boksierin kosovar Robin Haxhi Krasniqi. Gjatë këtij takimi ata diskutuan kryesisht rreth meçit për mbrojtjen e titullit kampion, të cilin Krasniqi do ta zhvillojë në stadiumin “Fadil Vokrri” më datën 5 gusht.

Për Krasniqin kjo është një ëndërr e kamotshme, e cila më në fund po bëhet realitet. Ai falënderoi kryetarin Ademi për mbështetjen e dhënë, duke mundësuar që mbrojtja e titullit kampion të bëhet në një ambient ku i jep mundësi një numri të madh të adhuruesve të jenë prezent.

“Haxhi Krasniqi përshëndeti punën e mirë që po bëhet në futbollin kosovar dhe përgëzoi kryetarin Ademi që fal korrektësisë dhe përkushtimit, futbollistët kosovarë nëpër Evropë ti bashkohen Kosovës dhe të punojnë drejt suksesit. Kryetari Ademi e falënderoi Krasniqin për vizitën dhe për vendimin që Kosova të jetë vendi ku ai do të zhvillojë një meç boksi me kaq rëndësi, derisa i ofroi përkrahjen e tij”, thuhet në njoftimin e FFK-së. Kryetari Ademi e nderoi Krasniqin me fanellën e Kosovës si dhe simbolin e Prishtinës “Hyjneshën në Fron”.