Ademi takohet me menaxherin e futbollit nga Italia, Andrea D’Amico
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi priti në takim menaxherin e futbollit nga Italia, Andrea D’Amico.
D’Amico e njoftoi presidentin Ademi se qëllimi i ardhjes së tij në Kosovë është interesimi ndaj klubit SC Gjilani, me zyrtarët e të cilit veçse ka biseduar gjatë të dielën, e po ashtu identifikimi i talenteve kosovarë dhe mundësia që futbollistët e Kosovës të transferohen në klubet evropiane.
Ndërsa qëllimi i takimit me kryetarin Ademi, sipas njoftimit të FFK-së ishte informimi nga afër për zhvillimin e futbollit kosovar, për çka edhe e përgëzoi të parin e FFK-së, teksa u diskutua edhe për gjetjen e formave për bashkëpunim me të rinjtë kosovarë.
Kryetari Ademi e falënderoi menaxherin Andrea D’Amico për interesimin ndaj futbollit dhe futbollistëve të Kosovës, teksa e njoftoi atë se futbolli vitet e fundit ka shënuar progres, pasiqë po zhvillohet me hapa të shpejtë, të sigurt dhe të suksesshëm.



