Ademi: Vizitat e personaliteteve të tilla dëshmojnë respektin që kanë për FFK-së

05 tetor 2022 | 17:44

Shefi i futbollit në UEFA, Zvonimir Boban, e ka vizituar të mërkurën Kosovën. Boban është pritur nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, dhe bashkërisht e kanë takuar ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çekun, derisa më pas legjendën e futbollit kroat e ka pritur në takim edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se vizitat e personaliteteve të tilla me ndikim në futbollin evropian e botëror, dëshmojnë respektin që kanë për futbollin e Kosovës.

“Mikpritja për të ishte madhështore ashtu siç e meriton legjenda e futbollit kroat dhe evropian, e i cili është shumë i dashur edhe për opinionin në Kosovë. Së bashku e takuam ministrin e sportit Hajrullah Çeku dhe kryetarin e kryeqytetit, Përparim Rama, derisa patëm takim edhe me KE të FFK-së dhe me gjeneratën e artë të futbollistëve, ku diskutuam për futbollin dhe projekte të ndryshme. Po ashtu, vizituam edhe Kampin Nacional në Hajvali si dhe vendosëm lule te shtatorja e legjendës, Fadil Vokrri, teksa së bashku morëm pjesë në ndeshjen Kosovë – Itali, në kuadër të turneut kualifikues Euro 2023 për Kombëtaret U17, që po organizohet nga FFK-ja”, ka thënë Ademi, i cili ka shtuar se Boban ka mbetur i mahnitur me pritjen dhe se i ka përgëzuar drejtuesit e federatës për të gjitha projektet e realizuara dhe ato që janë planifikuar të finalizohen. “Vizitat e personaliteteve të tilla me ndikim në futbollin evropian e botëror, dëshmojnë respektin që FFK ka fituar në instancat e futbollit ndërkombëtar, janë të rëndësishme dhe i sjellin të mira futbollit dhe vendit tonë”, ka deklaruar Ademi.

 

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe pse Kupa e Botës 2030 është larg, që tani…