Afarizmi në Kosovë përballet me vështirësi tatimore

11 janar 2021 | 12:26

Biznesmeni i njohur nga Kosova, pronar i kompanisë “Meka Halal Food”, Burim Piraj, ka thënë se afarizmi në vendin tonë përballet me sfida tatimore. Ai rast konkret ka përmendur ndryshimin e ligjit të TVSh-së, pagesën e TVSh-së për lëndën e parë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Piraj sfidë e konsideron edhe problemin me energji elektrike ku, sipas tij, kjo po ndikon edhe mosardhjen e investitorëve të huaj. Ai ka theksuar se Kosova nuk ka arritur t’i bëjë reformat e kërkuara dhe të duhura në përmirësimin e ambientit të biznesit, në mënyrë që të mundësohen investimet e huaja të drejtpërdrejta, sidomos në përpunim dhe prodhimtari.

Duke folur për kompaninë që drejton “Meka Halal Food”, Burim Piraj ka thënë se, pavarësisht prej vështirësive që kanë pasur, vitin 2020 e kanë përmbyllur me bilanc pozitiv. “Jemi ballafaquar me situata shumë të vështira me të cilat nuk jemi mësuar të merremi. Me shumë kufizime dhe me shumë probleme të papritura, mirëpo prapëseprapë e falënderoj Zotin që na ka mundësuar ta menaxhojmë disi situatën dhe përfundimisht ta përmbyllim dhe këtë vit me bilanc pozitiv”, ka thënë Piraj. Ai ka thënë se Kosovës i duhen njerëz të duhur në institucione, të cilët kanë dije dhe guxim për t’i lëvizur çështjet përpara.

“Epoka e re”: Z. Piraj, si e ka përmbyllur kompania juaj vitin 2020?

Piraj: Viti 2020 do të mbahet në mend si vit i pandemisë i cili ka shkaktuar probleme si në ekonomi, po ashtu edhe në të gjitha sferat e jetës. Jemi ballafaquar me situata shumë të vështira, me të cilat nuk jemi mësuar të merremi. Me shumë kufizime dhe me shumë probleme të papritura, mirëpo prapëseprapë e falënderoj Zotin që na ka mundësuar ta menaxhojmë disi situatën dhe përfundimisht të përmbyllim edhe këtë vit me bilanc pozitiv.

“Epoka e re”: Ju shpesh keni pasur vërejtje në ambientin e biznesit në Kosovë. Çfarë do të ndryshonit ju?

Piraj: Kosova nuk ka arritur t’i bëjë reformat e kërkuara dhe të duhura që ambienti i biznesit të përmirësohet dukshëm dhe të mundësohen investimet e huaja të drejtpërdrejta, sidomos në përpunim dhe prodhimtari. Këtu i kemi dy aspekte shumë të rëndësishme. E para ka të bëjë me politikat tatimore në vend, e dyta me sigurimin e infrastrukturës së sigurt për punë që investitorët të ndihen të sigurt. Çështja e parë ka të bëjë me ndryshimin e ligjit të TVSh-së dhe mundësimin e qarkullimit, pra tregtimit të mallit brenda kompanive pa TVSh. TVSh-ja duhet të paguhet pasi të jetë shitur malli. Lënda e parë duhet të jetë e liruar nga çdo taksë dhe nga TVSh-ja. Kompanitë prodhuese duhet të mos paguajnë TVSh ashtu siç nuk paguajnë në shumicën e vendeve të botës. Firmat prodhuese i paguajnë shtetit tatimin në paga, sigurimet, tatimin në fitim apo dividentin që po praktikojnë ta quajnë shumëkush kohët e fundit, por nuk ka detyrim të TVSh-së dhe nuk ka taksë doganore për lëndë të parë për t’u paguar. Faturimi nga kompanitë prodhuese përherë bëhet pa TVSh dhe nga vlera zero i shtohet TVSh-ja nga kompanitë tregtare. Kur të shitet malli i paguhet TVSh-ja shtetit. Këtu në Kosovë kompanitë prodhuese e paguajnë avancë TVSh-në dhe në një mënyrë në vend se shteti ta subvencionojë prodhimin, prodhuesit e subvencionojnë buxhetin e shtetit. Kjo është një praktikë shumë e mbrapshtë e cila ka bllokuar zhvillimin e vendit. Më besoni se herët e kam kërkuar një gjë të tillë, mirëpo individët pa vizion kanë ardhur në pushtet dhe në emër të tejkalimit të keqpërdorimit të TVSh-së i kanë bllokuar reformat. Ata e kanë tejkaluar keqpërdorimin, por e kanë bllokuar zhvillimin e vendit. Në vend se të ofronim punësim këtu, ne e shpërngulëm rininë dhe tërë vendin për të siguruar një vend pune diku anekënd botës. E dyta infrastruktura. Sot e kësaj dite në Kosovë nuk ka furnizim të rregullt me energji elektrike dhe as telefonia e as interneti nuk janë në një funksionim të mirëfilltë.

Në shumë pjesë të vendit telefoni mobil nuk punon ose nuk ka rrjet të mjaftueshëm dhe në shumë pjesë të vendit nuk ka qasje në internet 4G ose edhe më të mirë se ai. Paramendoni kur në autoudhë e pranon një telefonatë gjatë rrugës mund të ndërpritet disa herë për shkak të rrjetit të dobët dhe të pasigurt të telefonisë, dhe tërë këto nuk vërehen nga askush. Nga ana tjetër ne vëzhgojmë se si firmat evropiane dhe turke investojnë në Serbi e gjetiu. Ndërkaq askush nuk po na vjen në Kosovë, jo pse neve nuk na duan, por pse ne jemi larg shumë nga ajo që ofrojnë të tjerët për investitorët e huaj, njëkohësisht ofrojnë edhe për firmat e tyre vendore.

“Epoka e re”: Z. Piraj, tashmë vendi është në një proces zgjedhor. Cili është mesazhi juaj si afarist?

Piraj: Mesazhi im këtë herë është më shumë për partitë politike të cilave nuk po iu interesojnë shumë brengat e qytetarëve, por ato duhet ta dinë se kanë obligim ndaj familjeve të tyre, ndaj fëmijëve të tyre dhe ndaj atyre që të punojnë për këtë vend. Pra, të kujdesen për paranë publike sikurse për paranë e vet. Kosova është në stacionin e fundit për momentin. Po e kapi këtë stacion, do të ecë para, po nuk e kapi këtë stacion, rrezikon shumë dhe do të kemi pasoja edhe më të mëdha në të ardhmen. Kosovës i duhen njerëz të duhur në institucione të cilët kanë dije dhe guxim për t’i lëvizur çështjet përpara. Tani është luftë më e madhe se me armatim, luftë që duhet të fitohet medoemos me dije dhe me përkushtim.

(Albulena S. MAVRAJ)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, më pas…