Ahmeti për zgjedhjen e Xhaferit si kryeministër: Erdhi dita e madhe historike!

28 janar 2024 | 15:25

Lideri i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti, ka reaguar pas zgjedhjes së Talat Xhaferit si kryeministër i këtij shteti.

Ai ka thënë se ka ardhur dita historike për të cilën kanë punuar bashkë.

Duke e uruar Xhaferin, Ahmeti është shprehur i bindur se kryeministri shqiptar do ta ndjek rrugën evropiane.

“Nga viti 2001 e këndej kemi thyer një nga një të gjitha tabutë ideologjike, dëshmuam potencialin tonë si popull në drejtimin e shtetit tonë në çdo pozitë institucionale dhe u treguam vendimtarë në ruajtjen e orientimit euro-atlantik të vendit. Jam i bindur se Talat Xhaferi dhe kabineti i tij qeveritar do të jenë vazhdimësi e punës progresive që kemi bërë deri më tani, gjithmonë në shërbim efikas të të gjithë qytetarëve të këtij vendi dhe të përkushtuar për reformimin e tij në frymën evropiane”, ka shkruar Ahmeti në “Facebook”.

Postimi i plotë i Ahmetit:  

Të dashur qytetarë, vëllezër e motra,

Dita e madhe historike për të cilën punuam të gjithë bashkë, ERDHI! Nga sot vendi ynë ka Talat Xhaferin, si Kryeministër të parë shqiptar!

Rrugëtim të gjatë e të mundimshëm kemi bërë si popull për ta fituar atë që na takon ndër shekuj, pa pretenduar asnjëherë për të huajën, andaj është plotësisht legjitim gëzimi ynë i sotëm për këtë të arritur të madhe që dikur as nuk mund të imagjinohej.

Dikur në shtëpinë tonë na mohohej gjuha, arsimimi, punësimi nëpër institucione, na torturonte e shtypte pandalë sistemi i atëhershëm shtetëror, ndërsa sot po jetojmë barazinë si vlerë demokratike që e bënë këtë vend më të mirë dhe në prag të dyerve të Europës.

Marrëveshja e Ohrit ju dha tapinë shqiptarëve që të jenë dalzotës në shtëpinë e tyre.

Nga viti 2001 e këndej kemi thyer një nga një të gjitha tabutë ideologjike, dëshmuam potencialin tonë si popull në drejtimin e shtetit tonë në çdo pozitë institucionale dhe u treguam vendimtarë në ruajtjen e orientimit euro-atlantik të vendit.

Jam i bindur se Talat Xhaferi dhe kabineti i tij qeveritar do të jenë vazhdimësi e punës progresive që kemi bërë deri më tani, gjithmonë në shërbim efikas të të gjithë qytetarëve të këtij vendi dhe të përkushtuar për reformimin e tij në frymën evropiane.

Përcjell urimet e mia më të sinqerta deri te Talat Xhaferi, anëtarët e kabinetit të tij qeveritar dhe ju uroj punë të mbarë në sfidat që i presin gjatë kësaj periudhe të qeverisjes.

Bashkë le të prijmë proceset jetike për të ardhmen tonë progresive, t’i themi JO Rusisë, PO Evropës!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Talat Xhaferi ka thënë se sot (e diel) përmbushet ëndrra…