Pacientja me fibrozë cistike letër Arben Vitisë: Ministër, sëmundja nuk pret
Një 25-vjeçare, paciente me fibrozë cistike, i është drejtuar me një letër ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia. Në fillim të kësaj letre, ajo ka thënë se çdo ditë përballet me një betejë të vështirë për shëndetin dhe jetën e saj.
“Unë jetoj me fibrozë cistike. Kjo do të thotë se çdo ditë e jetës sime është e lidhur me terapi, medikamente, inhalime, kontrolle të vazhdueshme mjekësore dhe përpjekje të pandërprera për ta mbajtur sëmundjen nën kontroll. Çdo ditë përballem me sfida që shumë njerëz nuk mund t’i kuptojnë, ndërsa çdo ditë e ardhshme mbart pasigurinë se çfarë do të ndodhë me shëndetin tim.”, thuhet në letrën e saj, të publikuar nga Shoqata për Personat me Fibrozë Cistike në Kosovë.
Sipas saj, sot shkenca ka dhënë një mundësi të re, ekziston një ilaç që mund të ndryshojë rrënjësisht jetën e saj, TRIKAFTA.
“Ky nuk është thjesht një medikament. Për mua është shpresë, mundësi për të ngadalësuar përparimin e sëmundjes, për të përmirësuar funksionin e mushkërive, për të zvogëluar komplikimet dhe për të pasur një jetë më cilësore. Është jashtëzakonisht e dhimbshme ta dish se ekziston një trajtim që mund të të ndihmojë, se pacientët në shumë vende të Evropës tashmë kanë qasje në të, ndërsa unë nuk mund ta marrë vetëm sepse jetoj në Kosovë dhe familja ime nuk ka mundësi ta përballojë koston e saj.”, thuhet në letrën e saj që e ka postuar në Facebook “Cystic Fibrosis Kosova”.
Ajo thotë se nuk dëshiron të jetë e harruar dhe që e ardhmja e saj të varet nga mundësitë financiare të familjes.
“Edhe unë kam ëndrra, plane, dëshira dhe njerëz që më presin në shtëpi. Dua të jetoj, të punoj, të realizoj ëndrrat e mia dhe të kem mundësinë ta shijoj jetën pa frikën e vazhdueshme se sëmundja do të më marrë edhe më shumë nga ajo. Ministër, fibroza cistike nuk pret. Sëmundja nuk ndalet derisa ne presim vendime institucionale. Kam parë dhe kam dëgjuar për shumë fëmijë e pacientë që nuk arritën ta fitojnë betejën me këtë sëmundje. Dhimbja e humbjes së tyre është e madhe, por edhe më e dhimbshme është të mendosh se sot ekziston një mundësi për t’i ndihmuar pacientët, ndërsa ata ende nuk e kanë këtë mundësi në vendin e tyre.”, thuhet tutje.
Ajo ka drejtuar lutje për ministrin Vitia.
“Ju lutem, mos lejoni që edhe unë të humbas jetën pa pasur mundësinë të marrë trajtimin që shkenca tashmë e ka bërë të mundur. Ju lutem, mundëso TRIKAFTA të qasshme për pacientët me fibrozë cistike në Kosovë. Mos lejoni që vendi ku kam lindur të përcaktojë nëse kam apo jo mundësi për të jetuar më gjatë dhe më mirë. Nuk po kërkoj që shteti të më premtojë një jetë pa sëmundje. Po kërkoj vetëm mundësinë për ta luftuar atë me trajtimin që ekziston. Edhe unë kam të drejtë të jetoj. Edhe jeta ime ka vlerë. Edhe e ardhmja ime meriton një mundësi!”, thuhet në fund.
Ditë më parë, edhe një paciente tjetër kishte adresuar letër të ministri Vitia, me kërkesën urgjente për miratimin dhe sigurimin e terapisë KAFTRIO për pacientët me fibrozë cistike.



