“Pagesen e fundit nga GEN-i i Beogradit e kam pranuar para se të bëhem ambasador”, Berishaj pranon pagesat, s’pajtohet me kohën kur kanë ndodhur
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka mohuar se ka pranuar pagesa nga kompania GEN-I Beograd pasi kishte marrë detyrën diplomatike.
Megjithatë, gjatë një përballjeje me pyetje për transaksionet financiare, atij i është paraqitur edhe një dokument që pretendon të dëshmojë të kundërtën.
“Pagesen e fundit nga GEN-i i Beogradit e kam pranuar para se të bëhem ambasador”, ka deklaruar Berishaj në “Debat Plus” të RTV Dukagjini. Ai madje u përball edhe me shifra si 90 mijë euro në muajt. Për to, ambasadori tha se, pas fitimeve “kemi paguar edhe taksa në Kosovë”.
Por, pasi e pranoi se ishte paguar nga GEN, debati u zhvendos në atë se, a kanë vazhduar pagesat nga GEN-I Beograd edhe pasi Berishaj ishte emëruar ambasador i Kosovës?
Gjatë përballjes, Berishajt i është paraqitur një dokument sipas të cilit pretendohet se një pagesë nga kjo kompani është realizuar pas marrjes së detyrës diplomatike.
Nëse vërtetohet përmbajtja e dokumentit, kjo do ta vinte në pikëpyetje deklarimin e tij për kohën kur kishte pranuar pagesën e fundit.
Berishajt iu prezentuan shifra fitimesh ndër vitesh të kompanisë së tij. Ai i pranoi ato por tha se kur u bë ambasador i la ato fitime dhe vendosi që të punoj vetëm si ambasdor.
Gazetari Lirim Mehmetaj e ka pyetur lidhur me deklarimet e drejtuesve të kompanisë energjetike për pagesat që i ishin bërë.
Pyetjet specifikisht kishin të bënin me pagesa prej 0.5 për qind të vlerës së kontratave për furnizim me energji elektrike.
„Pagesen e fundit nga GEN-i i Beogradit e kam pranuar para se të bëhem ambasador“, Martin Berishaj.
Kjo përqindje ishte përmendur nga kryetari i bordit të GEN-I në Slloveni, Maks Helbl, gjatë një emisioni në televizionin publik slloven, RTVSLO.
Sipas deklarimit të tij, GEN-I Beograd e kishte paguar Berishajn për kontratat që ai kishte ndihmuar t’i siguronte në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi.
Mehmetaj kërkoi nga ambasadori të sqaronte nëse këto pagesa ishin realizuar me dijeninë e tij dhe nëse i konfirmonte pretendimet e Helblit.
Mirëpo, në vend të një përgjigjeje konkrete për përqindjen dhe kontratat, Berishaj ishte ankuar për mënyrën dhe kohën e telefonatës.
“Nuk e di çka jeni duke thënë, për besë. Jeni duke thirrë nëntë e gjysmë në mbrëmje… Sinqerisht nuk jam duke ju kuptuar. Ngadalë, se ia keni çuar pak ndal kësaj pune”, ishte përgjigjur ai.
Më pas, ambasadori kishte kërkuar që gazetari të mos merrej me atë që ai i konsideronte insinuata.
“Pse merreni me këto insinuata”, tha Berishaj.
Por deklarimi i tij i fundit, se pagesën përfundimtare e kishte pranuar para emërimit ambasador, e zhvendos vëmendjen pikërisht te datat e transaksioneve.
Çështja nuk është më vetëm nëse Berishaj ka marrë para nga GEN-I Beograd, por deri kur kanë vazhduar këto pagesa dhe për çfarë shërbimesh.
Po ashtu, mbetet të sqarohet nëse marrëdhënia e tij financiare me kompaninë kishte përfunduar realisht përpara marrjes së detyrës diplomatike.



