AIP dhe institucionet shtetërore realizojnë takim ndërinstitucional: Respektimi i privatësisë në komunikimin publik
Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH), Policia e Kosovës (PK), Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), si dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), kanë realizuar sot takimin e katërt të Grupit Punues Ndërinstitucional për të shqyrtuar veprimet e ndërmarra në mbrojtje të të dhënave personale në komunikimin publik, në kuadër të zotimeve të përcaktuara me marrëveshjen e arritur në korrik të vitit të kaluar.
Në fokus të diskutimeve ishin mekanizmat dhe masat konkrete të ndërmarra nga institucionet për mbrojtjen e privatësisë dhe parandalimin e publikimit të paautorizuar të informatave që përmbajnë të dhëna personale. Pjesëmarrësit diskutuan mbi sigurimin e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve përballë publikimeve të paautorizuara dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Gjatë takimit u prezantuan veprimet dhe rezultatet e arritura nga institucionet përgjegjëse, përfshirë:
🔹 Trajnimin e mbi 100 gjyqtarëve, prokurorëve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale;
🔹 Realizimin e mbi 30 takimeve me pronarë dhe udhëheqës të mediave;
🔹 Përgatitjen e akteve nënligjore për mbrojtjen e të dhënave personale nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës;
🔹 Vlerësimin e publikimeve që përmbajnë të dhëna personale të qytetarëve dhe identifikimin e masave parandaluese që duhet të ndërmerren nga institucionet përgjegjëse.
Institucionet pjesëmarrëse vlerësuan se këto veprime reflektojnë angazhimin e përbashkët ndërinstitucional për garantimin e së drejtës për privatësi dhe mbrojtjen e të dhënave personale, duke respektuar standardet demokratike të lirisë së medias dhe informimit publik, ruajtjen e integritetit të proceseve hetimore dhe gjyqësore, si dhe promovimin e gazetarisë profesionale në diskursin publik.
Udhëheqësit e institucioneve theksuan se mbrojtja e të dhënave personale do të vazhdojë të jetë ndër prioritetet kryesore të institucioneve përgjegjëse dhe se të gjitha palët janë duke përmbushur obligimet e tyre sipas memorandumit të nënshkruar.
Agjencia për Informim dhe Privatësi falënderon Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Policinë e Kosovës, Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës për bashkëpunimin dhe angazhimin e përbashkët në mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës.



