AKB-ja shënon 20-vjetorin e themelimit, Shahini: Të krijohen kushte për zhvillim ekonomik

28 tetor 2022 | 14:55

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shënuar 20-vjetorin e themelimit dhe të veprimtarisë. Me këtë rast kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se ky institucion është shtëpi që u ndërtua nga të gjithë, duke shtuar se objektivat e tyre mbesin fuqizimi i sektorit privat e reformat ekonomike.

Ai ka thënë se duhet të krijohen kushte për zhvillim ekonomik dhe investime të huaja.

“Po nderojmë të gjithë ata që e bënë të mundur këtë ditë, pra breza të tërë. Ne të gjithë jemi familje e madhe dhe atmosfera festive do të na bashkojë më shumë në kauzën tonë të përbashkët për zhvillimin ekonomik. Dua të falënderojë secilin biznes. AKB-ja është shtëpi që u ndërtua nga të gjithë. Të gjithë kontribuuam me diçka. Veçoritë e ekipit tonë janë mobilizimi në kërkim të zgjidhjes efektive. Objektivat tona mbesin fuqizimi i sektorit privat dhe reformat ekonomike”, ka thënë Shahini.

Në shënimin e 20-vjetorit të AKB-së kanë marrë pjesë edhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Ish-presidenti Sejdiu ka thënë se pa zhvillim ekonomik nuk mund të ketë demokraci. “Dy nga sfidat që kanë qenë për qytetarët e Kosovës ka qenë dëshmimi për aftësinë politike dhe ekonomike. Ajo çka e shoh të veçantë është ecja e ndershme në këtë proces të konkurrencës. Pa zhvillim ekonomik nuk mund të ketë demokraci. Përmbi 40 për qind të tokave të Kosovës nuk punohen. Nuk mund të lejohet prishja e akseve rrugore dhe shkuarja dëm e prodhimeve sepse mbyllen tregjet”, ka thënë Sejdiu.

Ish-zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, ka thënë se ndihet krenarë për punën 20-vjeçare që është bërë në Kosovë, duke përmendur investimet e bëra.“14 vjet shtet çfarë mrekulli kanë ndodhur, e kemi një Kosovë të nxjerrë nga hiri. Kemi dy autostrada më të mirë anë rajon. Një infrastrukturë më moderne në rajon. Unë ndihem krenar që këta 20 vjet lirisë së Kosovës kemi çka i ofrojmë sot atdheut. Vetëm përmes klimës pozitive duke dashur punëtorin mund të arrijmë përpara”, ka thënë Limaj.

Ndërkaq shefja e Grupit Parlamentar të LV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka folur për bashkëpunimin me AKB-në, duke shtuar se po punojnë që të rritet prezenca e grave në vendimmarrje.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndalimi i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi të enjten në…