Aksioni në Agjencinë Kadastrale, pesë të arrestuar për falsifikim dokumentesh dhe keqpërdorim detyre
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar një aksion në orët e hershme të mëngjesit në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe në disa lokacione të tjera, ku janë ndaluar për 48 orë pesë persona të dyshuar.
Të arrestuarit me inicialet A.B., N.K., A.Q., B.SH. dhe M.B., dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikimi i dokumentit” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.
Sipas prokurorisë, dy nga të dyshuarit kanë përdorur një kontratë të falsifikuar të vitit 1966 për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme pronë. Një zyrtar i Gjykatës Themelore në Prishtinë dyshohet se ka krijuar dokumente fiktive për të mundësuar legalizimin, ndërsa dy zyrtarë të Agjencisë Kadastrale dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat duke aprovuar regjistrimin e pronës në mënyrë të paligjshme.
Prokurori i Shtetit pritet që brenda afatit ligjor të vendosë për masat e sigurisë ndaj të pandehurve, ndërsa rasti mbetet në procedurë hetimore.



