Alfabeti i atdhedashurisë

02 nëntor 2019 | 15:39

Shkruan: Skender Haliti

Tridhjetë vjet më parë, me dy nëntor 1989, ranë dëshmorë në luftë me policinë serbe dhe kolaboratorët e saj shqiptarë Fahri  Fazliu dhe Afrim Zhitia.

Ky nëntor i vitit 1989 ngërthen në vete ngjarje të mëdha që do ta ndryshojnë historinë e botës: bie Muri i Berlinit dhe fillon shembja e rendit të vjetër botëror që kishte ndarë popuj e njerëz, që kishte shkaktuar miliona viktima anë e mbanë botës, por nga ky mur më së shumti vuanin popujt e Evropës së ndarë, në radhë të parë gjermanët dhe shqiptarët, këta të fundit nga një mur i përgjakshëm, ndonëse i padukshëm që u ngrit menjëherë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Por rënia e rendit botëror, e dukshme përmes rënies së Murit të Berlinit, për çudi nuk do të kërkojë asnjë jetë njeriu. Një kthesë e madhe historike po kryhej pa vënë në themel të saj gjakun e pafajshëm njerëzor. Euforia do të jetë e madhe, sepse presupozohej që mendja dhe shpirti i njeriut në dyzetë e ca vjetët e jetës në paqe kishte pësuar një transformim të tillë fundamental që, së paku, në Evropë më nuk do të lejonte përdorimin e dhunës si instrument politik. Disa hulumtues  do të shkonin aq larg sa këtë transformim joviolent do ta quanin fillimin e një epoke pa histori. Sipas tyre historia po merrte fund njëherë e përgjithmonë.

Kështu ishte në qendër, por jo edhe në periferi. Atje historia kishte bërë pushim, nuk kishte ecur me hapin e kohës. Jugosllavia që kishte përfituar më së shumti nga ekzistenca e këtij rendi të padrejtë që për disa decenie ishte bërë i perceptueshëm përmes  simbolit të saj në Berlinin e ndarë e kishte ndjerë instinktivisht rrezikun për ekzistencën e saj shtetërore dhe, prandaj, ajo do të mundohej, me të gjitha mjetet që kishte në disponim, të ndryshonte rrjedhën e historisë: me plumba. Një javë të plotë para rënies së Murit të Berlinit në një nga lagjet e Prishtinës, në  Breg të Diellit, ajo do të hidhej në aksion për të vrarë ata që përfaqësonin diellin që mungonte,  po që e kishte paralajmëruar ditën e re që do të lindte bashkë me të. Një mur i vjetër, pothuajse 100 vjet mespërmes tokave shqiptare, po lëkundej, ndaj dhe ishte momenti i fundit për të bërë diçka në themelet e tij që kërkonin gjakderdhje të re. Ndryshe ai do të shembej shpejt, duke qenë se në Kosovë gjithnjë e më shumë po shtoheshin ata që mendonin e vepronin si protagonistët e një fillimi të ri historik pa të.  Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia duheshin ndalur me çdo kusht. Ata u rrethuan dhe u vranë, sepse nuk u dorëzuan. Ata rezistuan me armë deri në fund.  

Nobelisti i sivjetshëm kontrovers, antishqiptari Peter Handke,  shkruan në librin e tij “Humbje imazhi” se Europa e kësaj kohe ishte përfshirë nga një armiqësi e madhe, e vjetër mes popujve. Librat shkollorë qenë ndryshuar, shkruan ai, por, përsëri armiqësia nuk ishte zhdukur që s’ishte zhdukur. Ajo ishte ringjallur edhe më e fortë në këtë moment historik që do të sillte kthesën e madhe. Dhe vërtet ai që mbronte dhe ende mbron me aq ngulm atë Jugosllavi dhe Serbi që shtypte brutalisht shqiptarët që prej një shekulli, të cilëve iu kishte marrë tokën dhe qiellin, Handke në një libër tjetër shqiptarët në Kosovë i quan zogj të qyqes që janë vendosur në çerdhen e huaj serbe në Kosovë, e ndjente intuitivisht se vetëm historitë e falsikuara dhe librat nuk ishin në gjendje ta ruanin status-quon e dëshiruar. Kishte ardhur koha që të prodhohej histori ndryshe, me gjak, e cila pastaj do të bënte të mundur humbjen e imazheve parake, të dikurshme që kishin precipituar në trurin e miliona njerëzve që e ndjenin veten humbës të mëdhenj. Këtë mesazh joletrar i dërgonin Serbisë qarqe të caktuara në Evropë që s’kishin pushuar kurrë mbështetjen e carëve rusë, pavarësisht ngjyrës së kostumit të tyre politik. Serbia po kalonte momente dramatike gjatë gjithë viteve 1980, duke filluar nga pranvera e hershme e vitit 1981, ndaj dhe këshillave të fshehta të elitave proserbe në Evropë, të cilat pjesërisht i kishte ushqyer për dhjetëvjeçarë të tërë,  nuk mund të mos ua vinte veshin. Në shikim të parë, me arsenalin ushtarak  dhe potencialin diplomatik që kishte në posedim ajo nuk kishte pse të druhej shumë. Ishte moment krucial historik ku duhej treguar guxim dhe vendosmëri, prandaj ajo vendosi të  hidhej në një aksion simbolik. Vrasja e Fahri Fazliut dhe Afrim Zhitisë në Prishtinë shënjon në fakt fundin e një epoke dhe fillimin e një tjetre me luftëra, vrasje masive e gjenocide. Serbia e dinte se po futej në një aventurë të madhe, por ajo që ishte bërë shkak për një luftë botërore, duke e ndjekur me konsekuencë filozofinë e saj politike, dukej sikur nuk kishte alternativë tjetër. Këtë filozofi politike raciste antishqiptare e njihnin mirë Fahri Fazliu dhe shoku i tij i idealit Afrim Zhitia. Ata e dinin se Serbia nuk do të hiqte dorë nga plaçka historike që quhej Kosovë, ndaj dhe ishin të vendosur për t‘i shkuar deri në fund luftës së tyre që ishte në fakt lufta e shqiptarëve që po vetëdijesoheshin se liria e humbur dhe toka e rrëmbyer nuk do të ktheheshin kurrë paqësisht. Ata e dinin se shqiptarët e nëpërkëmbur dhe të përbuzur kishin nevojë për një sjellje të re inkurajuese, për akte qëndrese dhe heroizmi që shkonin deri në vetëflijim. Për botën e re që ishte shfaqur në horizont realiteti duhej të lexohej ndryshe. Për këtë duhej një alfabet tjetër, alfabeti i atdhedashurisë.

Në fotografi: Fahri dhe Fadil Fazliu dhe Skender Haliti (autori i shkrimit) në qershor të vitit 1989 në banesën e familjes Fazliu në Bregun e Diellit në Prishtinë.

Me Fahriun u njoha përmes një miku të përbashkët në Universitetin e Prishtinës. Ishte viti 1986, një vit që në histori ka hyrë si një vit i dënimit masiv nëpër gjykatat serbe i rinisë studentore. Gjatë gjithë dekadës ’80-tënuk pushuan arrestimet e burgosjet e studentëve të rebeluar, por pas vitit 1981/82 viti 1985/86 përbën vitin me më shumë burgosje e dënime deri atëherë. Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës kishte marrë një goditje të rëndë në këto vite, por ajo ende ekzistonte, vepronte në ilegalitet të thellë. Fahriu gjatë kësaj kohe më furnizonte me libra të ndaluar historie dhe gazeta që nxirrnin qarqet ilegale brenda dhe jashtë vendit. Ata që kishin pushtetin vërtet i kishin ndryshuar librat shkollorë, për të cilët flet nobelisti i dezignuar Peter Handke, por ato s‘i besonte kush. Ne kishim librat tanë, ata të tyret që vazhdonin të gënjenin  e mashtronin, atë mashtrim që sot ende e vazhdojnë përkrahësit e hapur apo të fshehtë të Millosheviqit. Gjithë ato masakra dhe vrasje të llojllojshme  që kreu anë e mbanë Jugosllavisë kasapi i Ballkanit në fakt fillin e kanë në Kosovë dhe pikërisht me 2 nëntor 1989. Vrasja e patriotëve Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia është vrasja e parë në Jugosllavi që do të kryenin strukturat shtetërore që komandoheshin nga Sllobodan Millosheviqi, aparat shtetëror ky që do të fillojë shumë luftëra, njërën pas tjetrën,  në hapësirën jugosllave kundër popujve joserbë.  

Politika serbe për shumë kohë shtypjen e shqiptarëve e kishte realizuar në rrethanat e një koniunkture të përshtatshme ndërkombëtare duke shfrytëzuar resurset e federatës jugosllave, mirëpo kësaj politike me kalimin e kohës po i shtoheshin kundërshtarët te të gjithë popujt e federatës, sepse po bëhej gjithnjë e më e qartë se synimi i Beogradit ishte një Jugosllavi centraliste që merr para sysh vetëm interesat e serbëve dhe shpërfill ato të kombeve të tjera.

Fahri Fazliu formimin e tij atdhetar nuk mund ta merrte nga librat për të cilët flet Peter Handke, sepse në to Kosova quhej tokë serbe, zemra e Serbisë, por nga libri i jetës. Nga rrëfimet e të rriturve dhe të moshuarve, ishte vënë në kontakt me një të vërtetë tjetër tronditëse, me të vërtetën e pushtimit të përgjakshëm të Kosovës dhe tokave të tjera shqiptare nga fqinjët tanë që në luftërat ballkanike. Ai e dinte se harta e Ballkanit ishte bërë diku larg në Evropë dhe kështu shqiptarët ishin martirizuar. Këto imazhe pushtimi, poshtërimi e nënshtrimi ishin të gjalla në kujtesën e kombit dhe, për më tepër, ato ishin vepruese edhe kundër gënjeshtrave të stërholluara të njerëzve me talent letrar e xhelatëve të politikës Millosheviq që në terrenin e historisë bashkëkohore përpiqeshin me dhunë e gjak të ndryshonin imazhet e vjetra, duke i zëvendësuar ato me disa më të reja vetëm nga pikëpamja kronologjike, sepse këto imazhe në ishte shumë të vjetra në thelbin e tyre.

Fahriu  qysh në moshë të re tregoi interesim të madh për zhvillimet politike të kohës së tij. Ai u organizua ilegalisht  gjatë kohës sa ishte në shkollë të mesme. Në këtë kohë rinia shkollore dhe universitare ishte përfshirë në forma të ndryshme të rezistencës dhe të organizimit politik ilegal. Pas përfundimit të shkollës së mesme regjistrohet në Fakultetin e Ndërtimtarisë në Prishtinë dhe njëkohësisht edhe në Shkollë e Lartë të Komunikacionit në Zagreb. Për shkak të gjendjes ekonomike të familjes së tij ishte i detyruar të punonte në hekurudhën e Kosovës në Fushë Kosovë .Gjatë aktiviteti ilegal ai vihet në kontakt me Afruim Zhitinë, i cili kishte një përvojë të madhe organizative si ilegal, përfshirë këtu edhe burgjet jugosllave, nëpër të cilat ai kishte kaluar. Me të u lidh fort, sepse Afrim Zhitia ishte i vendosur për çdo aksion që e kërkonin rrethanat.

Në Prishtine Fahriu kishte krijuar një  bërthamë të  fortë veprimtarësh. Ai ishte në krye të Këshillit Popullor të LPRK-së. Në këtë këshill bënte pjesë edhe Afrimi, Fadil Vata, etj. Aktiviteti ilegal i Fahriut përfshinte pothuajse gjithë hapësirën shqiptare në ish Jugosllavi. Kudo ishin formuar Këshilla Popullorë. Demonstratat  e mëdhafundit  te viteve tetëdhjetave ishin rezultat edhe i punës së Fahriut dhe i shokëve të tij. Rrjeti i shokëve organizuar të Fahriut ishte i gjerë, ai arrinte deri edhe në Zagreb, ku ai kishte mjaft shokë në mesin e qindra studentëve shqiptarë  qëstudionin  atje.

prill  të vitit 1989 erdhi në Prishtine  një delegacion  evropian, i cili u interesua  edhe për studentët. Në  pritje të  këtyre politikanëve nga Evropa do të organizohej një demonstratë në Qendrën Studentore. Kjo proteste  ka qenë  direkt  e organizuar nga Fahriu dhe shokët rreth tij. Fahriu mbante  kontakte edhe me Ali Ajetin në  Besianë,  i cili po ashtu do të bie në përleshje me  policinë  disa  muaj para Fahriut. Fahriu pati përgatitur një aksion të armatosur për të liruar një shok tonin të torturuar që gjendej në Klinikat Universitare në  Prishtinë dhe  ruhej nga policia serbe. Bëhej fjalë  për Shaban Mujën.  Një aspekt tjetër  i veprimtarisë së  tij është  edhe nxjerrja e buletinit informativ “Rruga e lirisë, përmes të cilit do të informohej publiku ndërkombëtar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe për historinë e çështjes shqiptare. Ngjarja si vrasja masive e mijëra luftëtarëve antifashiste ne Bari, Konferenca e Bujanit  duhet  të bëheshin të njohura për një publik të gjerë që ishte i interesuar për rajonin.

Gjatë kohës së grevave të minatorëve, Fahriu bëri shumë në sensibilizimin e studentëve dhe  organizimin e tyre në mbështetje të minatorëve. Fahriu ishte shumë i shkathtë politikisht, kështu që  ai dinte mire  t‘i shfrytëzonte te gjitha  format  e veprimit legal, edhe pse ai ishte i bindur që në kushtet në të cilat vepronim atëherë pa organizim ilegal të mirë ishte shumë e vështirë të arrihej diçka. Në prag të gjykimit të të  15-ve në Mitrovicë  ai organizoi shpërndarjen  e  një trakti në shumë qytete të Kosovës. Aksionin në Prishtine dhe në Kastriot e pati udhëhequr vetë Fahriu. Ndërsa unë së bashku me Ekrem Qerimin dhe Xhevat Qerimin i kemi shpërndarë në Ferizaj dhe në Viti.  

Shembulli i Rexhep  Males dhe i Nuhi Berishës ishte për të një model i veprimit të një atdhetari që është i gatshëm për çdo lloj flijimi. Librin e Rexhep Maljat ”Qëndresa”  e kishte lexuar dhe rilexuar.  Nëse një ditë do të ndodhem në rrethana të ngjashme, më pati thënë disa muaj para rënies së tij, atëherë  pa asnjë hezitim do të veproj si Rexhep Malaj e Nuhi Berisha. I gjallë nuk bie në dorën e armikut.

Lavdi e përjetshme heronjve të kombit Fahri Fazliu e Afrim Zhitia!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në 30-vjetorin e rënies së Bahri Fazliut e Afrim Zhitisë,…