Ali ​Ahmeti për “Open Balkan”: S’po përgatitet ndonjë ripushtim i Kosovës

13 gusht 2021 | 15:54

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka vlerësuar se Kosova duhet të shoh interesin e saj në raport me zhvillimet rajonale, por thotë se iniciativa e “Ballkanit të Hapur” nuk është përgatitje për një “ripushtim të Kosovës”.

“Gjërat nuk duhet të merren me emocion, gjërat duhet parë me gjakftohtësi se çka është e dobishme për Kosovën të pranohet dhe çka mund të jetë e dëmshme mos të pranohet. Nga këto nisma unë nuk shoh që përgatitet ndonjë ripushtim i Kosovës, kjo është nismë që vullnetarisht mund t’i bashkëngjiten edhe vendet e tjera të rajonit ose mund të mos i bashkëngjitën. Pra secili shtet sheh interesat e veta. Aty ku rrezikohen e kërcënohen interesat e shtetit sigurisht që nuk i bashkëngjitet një nisme të tillë”, ka thënë Ahmeti për “Kosovapress”.

Më tutje, Ahmeti  ka thënë se Maqedonia e Veriut është e përkushtuar në rrugën e saj evropiane, duke shtuar se përderisa i gjithë rajoni e synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, atëherë nevojitet bashkëpunim.

Sipas tij,  pa paqe dhe siguri vendet e rajonit nuk do të arrijnë në BE.

Ndërsa sot kur bëhen dy dekada prej nënshkrimit të marrëveshjes e cila i dha fund konfliktit në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve, Ahmeti ka thënë se ai dokument ishte faktor i rëndësishëm për normalizimin e raporteve në mes të dy komuniteteve.

Megjithatë, kjo marrëveshje nuk ka gjetur zbatim të plotë, ku Ahmeti ka përmendur Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe.

“Të zbatimi i ligjit të gjuhës shqipe ka ngecje, por sigurisht që duhet më shumë përkushtim por edhe ndërgjegjësim edhe të palës maqedonase sepse ka nga pala maqedonase që e bojkotojnë, që e anashkalojnë, këto janë çështje me të cilat jemi përballë tash e 20 vite dhe nuk duhet shumë të dëshpërohemi sepse të tjerët nuk punojnë me dinamikën që kërkojmë ne. Jam shume i sigurt që me investimet në kuadro që kemi bërë do të përshpejtohen këto procese”, ka thënë Ahmeti, duke shtuar se në Maqedoninë e Veriut vazhdon të ketë sektorë ku shqiptarët nuk janë të përfaqësuar.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka prezabtuar sot kandidatin për…