Bashkëshortja e Calit me mesazh emocionues për Jakup Krasniqin: Të kemi përqafuar tash e gjashtë vjet në Hagë
Vlora Sopi, bashkëshortja e Calit, ka ndarë një mesazh prekës dhe plot respekt për Jakup Krasniqin, duke vlerësuar kontributin e tij për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës, si dhe qëndresën e tij në përballje me sfidat e viteve të fundit.
Në mesazhin e saj, Sopi thekson se koha mund të sjellë sprova, por nuk mund t’i fshijë sakrificat, kujtimet dhe gjurmët e një jete të tërë në shërbim të vendit.
Ajo i uron Krasniqit forcë, shëndet dhe qëndresë, duke kujtuar edhe përqafimet dhe mbështetjen që i kanë dhënë gjatë këtyre gjashtë viteve në Hagë.
Në fund të mesazhit, Vlora Sopi shpreh edhe një zotim për të qëndruar pranë familjes së tij, duke theksuar se Calin e ka pranë në Hagë, ndërsa familjarëve dhe të afërmve u mbetet të jenë pranë njëri-tjetrit.
Mesazhi i plotë i Vlora Sopit:
“I nderuar, xhaxhi Jakup Krasniqi,
Ka njerëz që historia i njeh jo vetëm për atë që kanë bërë, por edhe për qëndresën dhe dinjitetin që tregojnë në momentet më të vështira.
Kontributi yt për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës mbetet pjesë e historisë sonë.
Koha mund të sjellë sprova, por nuk mund t’i fshijë kujtimet, sakrificat dhe gjurmët e një jete të tërë në shërbim të vendit.
Me respekt e nderim, të uroj forcë, shëndet dhe qëndresë.
Të përqafojmë unë, Buna dhe Skifteri, ashtu siç të kemi përqafuar tash e gjashtë vjet në burgun e Hagës.
Calin e ke aty, që do të qëndrojë pranë teje, ndërsa neve na mbetet t’i qëndrojmë pranë familjes.”



