Ambasadori amerikan viziton Policinë e Kosovës

13 maj 2022 | 22:53

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka pritur sot në takim ambasadorin e ShBA-ve në vendin tonë, Jeffrey M. Hovenier.

Ishte ky një takim njohës, takimi i parë mes ambasadorit të ri të ShBA-ve në vendin tonë dhe drejtorit të përgjithshëm të PK-së.

Fillimisht, Mehmeti ka falënderuar ambasadorin Hovenier për vizitën e realizuar në Policinë e Kosovës dhe ka theksuar bashkëpunimin e vazhdueshëm mes Ambasadës së ShBA-ve me PK-në.

Mehmeti i dëshiroi punë të mbarë dhe suksese ambasadorit në detyrën e tij si Shef i Misionit si dhe i falënderoi taksapaguesit e ShBA-ve për mbështetjen e palëkundur për Policinë e Kosovës.

Ambasadori amerikan, Hovenier, ka falënderuar për pritjen e organizuar dhe ka potencuar se rendi dhe qetësia publike dhe sundimi i ligjit janë shumë të rëndësishme për funksionimin e demokracisë së një vendi.

Ambasadori amerikan shprehu përkushtimin e tij për bashkëpunim dhe mbështetje të vazhdueshme me qëllim të avancimit dhe profesionalizmit të Policisë së Kosovës.

Në takim u diskutuan edhe tema konkrete me fokus në komunitetet pakicë, avancimin e shkathtësive në fusha operacionale, menaxhimin e ndryshimeve, unifikimin e policisë dhe rolin qenësor që policia ka për të ardhmen e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me drejtorë të…