Ambasadori i Britanisë përkrah punën e Prokurorisë Speciale

23 prill 2024 | 17:01

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, ka pritur të martën në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Prishtinë, Jonathan Hargreaves.

Në fillim të këtij takimi kryeprokurori Isufaj e falënderoi ambasadorin e Britanisë së Madhe në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, për vizitën e tij në Prokurorinë Speciale, duke theksuar se prania e tij në këtë institucion është konfirmim i dëshmuar i mbështetjes për Prokurorinë Speciale dhe, për më tepër, mbështetje për të luftuar krimin dhe korrupsionin e nivelit të lartë.

Më tutje, kryeprokurori Isufaj i njoftoi të pranishmit për rolin, strukturën dhe funksionimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës si dhe për punët dhe sfidat me të cilat ballafaqohet ky institucion për realizimin e mandatit të tij në konsolidimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

Edhe në këtë takim kryeprokurori Isufaj potencoi se, pavarësisht prej sfidave me të cilat ballafaqohen, prokurorët e kësaj prokurorie përgjatë punës së tyre udhëhiqen vetëm nga vlerat e pavarësisë, profesionalizmit dhe etikës me qëllim që rezultatet e punës të arrihen me guxim dhe vetëm siç është përcaktuar me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi.

Me këtë rast kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, nënshkruan marrëveshje për pranimin e një donacioni – pajisje për videoincizimin e intervistimit të të pandehurve, dhuruar për PSRK-në nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Kryeprokurori Isufaj ka falënderuar ambasadorin Hargreaves për donacionin e dhënë, duke theksuar se kjo ndihmë është e çmuar dhe e rëndësishme për ta mbështetur punën e prokurorisë në luftimin e krimeve dhe për t’i forcuar kapacitetet e tyre për të siguruar drejtësi.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, e falënderoi ambasadorin britanik edhe për mbështetjen e dhënë ndër vite në ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale, etike dhe logjistike të Prokurorisë Speciale.

Ndërsa ambasadori Hargreaves ka shprehur mbështetjen e tij për kryeprokurorin Isufaj me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke potencuar gatishmërinë e Ambasadës Britanike për organizimin e trajnimeve për prokurorë dhe staf mbështetës, me qëllim të zbatimit të reformave ligjore dhe institucionale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dëshmitari Ramiz Qeriqi është duke u marrë në pyetje nga…