Antinomia si thelb i universit poetik

10 qershor 12:42

Behar GJOKA:

Shënime rreth përmbledhjes poetikeSfinksi pyet sërish” të autorit Ismail Syla, botim i shtëpisë botuese Buzuku, Prishtinë.

Libri më i ri me poezi i poetit Ismail Syla, për shpalimin ndjesor dhe mental, derdhur në një formë të përveçme, vetiu të krijon ngasjen për të hetuar lëvruesin, që synon kah një sistem poetik vetanak. Projeksioni i një tipari, që tashmë e ka rrokur sistemin e këtillë, nuk buron vetëm nga rimarrja e mjeteve dhe teknikës shkrimore, porse më tepër vjen si një rishkrim dinamik, që bart kumtin, gjithsesi të risemantizuar. Shenjat e formësimit të sistemit shprehës, shpërfaqen në këto stilema poetike:

Së pari: Poetika mbizotëruese e vargut klasik, pavarësisht kadencave ritmike të riformuluara, që mishërohen nga prania e katrenës, distikut, ndonëse nuk mungojnë edhe poezitë jashtë skemës, një poezie që zakonisht vjen përmes rimës së shkujdesur.

Së dyti: Ekuilibri në mes formës dhe përmbajtjes, etikës dhe estetikës, ndjenjës dhe mendimit, megjithëse ky i mbrami ka përparësi në thurjen e poezisë, si një prani bashkëshoqërimi. Sërish, edhe në këtë libër, ashtu si herëve të tjera, poezia e Sylës, synon arsyen, e sidomos zgjimin prej përgjumjes, në të cilën noton qenia njerëzore. Ligjërimi i poezisë meditative, madje të kundërvënies së hapur të mendimeve, si rrafsh antinomie, është shtegu ligjërimor, me mbet besnik i botëperceptimit autorial.

Së treti: Bartja dhe përthekimi i stilemës së epit, ku duket sikur lirika me tepër fashitet dhe ndrin në rrëfim, një sintagmë poetike e veçantë, që të shpie te ideja e hershme e B. Kroçes, se “poezia fle aty ku duket dhe aty ku fshihet”. Epi, me shumëpërdorimësi në poezinë e autorit, që ndërkaq shqipton shumëkuptimësinë, është një bashkëlidhni e kumtit letrar, derdhur në një formë të rindërtimit të tipave të ndryshme ligjërimore, që ka rast që shpalohet në formë epigrami.

  • Kalendar poetik, i kohës dhe hapësirës

Elementë shoqërues i ligjërimit të vargjeve të vëllimit më të ri poetik, me funksion të qartë thënës dhe artistik, janë edhe shënimet në fund të secilës poezi, si dhe shpjegime fjalësh dhe frazeologjish, të cilat e risemantizojnë dhe fuqizojnë kontekstin e tyre. Bie në sy theksimi i vendit ku është krijuar secila prej këtyre poezive. Vetëkuptohet se në këtë aspekt, mbizotëron përmendja e Prishtinës, vatra që e ngjizi poetin, si vokacion. Po ashtu, në ndonjë rast shfaqet emërtimi Dardani, emër i lashtë i atyre trojeve. Përmendja e vendit, ku pikërisht jetësohet poezia, përthekon faktin se kudo që shkon autori, udhëton bashkërisht me poezinë. Ndërkaq, si shtesë jorastësore, vendoset edhe data e shkrimit të poezisë, si dhe viti. Megjithëse poezitë e librit nuk janë vendosur kronologjikisht, por duke u bazuar në botëperceptimin e autorit, si kumbim artistik. Poezitë përfshijnë ditët, muajt e viteve 2016, 2017, 2018 dhe disa poezi të vitit 2019. Prania e këtyre dy shënimeve, hapësinore dhe kohore, me gjasë e dy tregueseve domethënës, e shndërron poezinë në një kalendar të moteve të autorit. Jo në një numërtim rastësor, por një kalendar poetik, që e sublimon poezinë si matës i kohës, i ulje-ngritjeve dhe dritëhijeve, natyrisht si një matës shpirtëror, i asaj që ngjet me qenien, veçmas me qenien shqiptare, në shekullin e ri.

  • Rrafshet e strukturimit të poezive

Shprehësia letrare, konceptuar si strukturë dinamike e librit, i zgjeron hapësirat e komunikimit me lexuesin. Në poezinë e autorit, por që frymëmerr edhe na faqet e kësaj përmbledhje, ndeshim mishërimin estetik përmes ndërthurjes së poetikës klasike me atë moderne. Poetika klasike, e shpërfaqur në hapësirën e librit, dëshmohet nga lëvrimi i vargut distik (dysh) dhe katrena (katërshe), si dhe mbizotërimi i vargëzimit me tetë dhe gjashtëmbëdhjetërrokësh. Megjithatë, stilemat klasike të vjershërimit, shpërfaqen edhe në dy përthyerje, së pari janë disa raste, të shkrimit me vargje të lira, së dyti, që përbën thyerjen kryesore, brenda poezisë sendërtohet kundërthënia etike dhe estetike, që e ridemensionon ngjyrën e poezisë klasike, duke i mëveshur një ngjyrim bashkëkohor. Në aspektin strukturor, shenja që ofron te ngjyrat moderne, është paraqitje e materies letrare. Organizimi i ligjëratës poetike, në ciklet:

A – Dilemat e Sfinksit, ku janë paraqitur gjashtëdhjetë poezi, ku ndërkaq gjejmë raste të varianteve kundërthënëse, e shpalon adresën e synuar. Tekstet risjellin Sfinksin dhe çmitizimin e kohës absurde, tanimë si risemantizim.

B – Heqja e Dushkut të fjalëve, ku janë përfshirë tridhjetë e pesë poezi, në të cilin hyhet në procesin krijues, pra në magjen e lëvrimit poetik.

C – Pandryshueshmëria që përmbledh tridhjetë poezi, e cila kumbon nga tharmi filozofik i kundrimit të kohës dhe të shkrimit poetik.

D – Thesi i shpuar i lumturisë, ku janë vendosur mbi dyzet poezi, që zbret në përjetimin e fatit, të qenies në vështrimin e mençurisë gojore.

Element i shtuar i modernitetit, që shfaqet në përmbledhje, është edhe lëvrimi i variantit letrar, që shqiptohet në dhjetë raste.

  • Mëdyshjet moderne të Sfinksit

Rimarrja e mitit të Sfinksit, edhe në hapësirën e vargjeve, simbolit të njeriut të pushtetshëm, që është i dënuar të vuajë ndëshkimin, e ngujimit në atë pamje, me kokën jashtë dhe trupin të mbuluar në rërë, e sidomos pranëvënia me shpërfytyrimin e kohës së pa kohë, është thelbi i shkrimit të poetit, si antinomi. Metafora e librit Sfinksi pyet sërish, e sugjeron qysh në titull rivitalizmin e dobisë së guximit për të qenë të ditur, sepse vetëm prej dijes, madje mbahet në këmbë ekzistenca e guximit, e veçmas përkujdesjen prej rrezikut të pushtetit dhe autoritarizmit. Dobishmëria e dialogut me Sfinksin, si pranim dhe përballje me fatin e qenies njerëzore, në kohë-hapësirën e pamatshme, zbulohet në përthyerjet e mëdyshjeve të shumta, shpaluar në tekst. Nevoja e përballjes, së pashmangshme me guximin, për të qenë i ditur, plazmohet në ciklin e parë, Dilemat e Sfinksit. Përveç se kaq, hamendjet e udhëtimit në kohët absurde, e sidomos në absurditetin e shekullit të njëzet e një, vijnë të shqiptuara në disa forma:

  • Në vargjet e poezisë Dilema e trungut të ullirit, që ka ndërthurur elemente të natyrës si: mjegulla, ulliri, pjergulla.
  • Në poezinë Dilema e Sfinksit në kapërcyell të moshës, që sendërtojnë qartësisht kundërvënien rini-pleqëri.
  • Vargjet e poezisë Dilema e proverbit, si ndërmendje e mençurisë popullore dhe që shpalohet si një aforizëm: Në ujë të kthjelltë nuk zihen peshq.
  • Poezia Dilema e dy mollëve, përçon një situatë të beftë, të marrëdhënies së njeriut me natyrën.
  • Vargjet e poezisë Dilema e gjeniut kur mbaron kryeveprën, si dëshmi e shpallur e makthit kreativ.
  • Poezia Dilema e Sfinksit, përballë bukurisë së paprovokueshme, që dukshëm projektojnë heshtjen përballë bukurisë.
  • Poezia Dilemat para Sfinksit, kur ai: … iu rri para i stepur dhe pa fjalë.
  • Si nëntekst i poezisë Ecja në jetë, që endet mbi shtigjet e zgjedhura.

Prania e formave të larmishme, të rrafsheve gjalluese të mëdyshjeve të Sfinksit, me gjasë të dilemave bashkëkohore të njeriut, ndonëse në jo pak raste, shfaqet me anë të titujve të gjatë, që gati-gati e zvarrit mendimin, e dëshmon kërkimin e poetikës së mendimit, si shtysë për ta ndryshuar botën dhe veten.

  • Bashkëtingëllima e mendimit me rrëfimin lirik

Një tipar shkrimor, që bartet nga libri në libër, por që formësohet qartësisht në këtë përmbledhje, është bashkëshkrimi liriko-epik, si dhe duke e përcaktuar në titull si ep, që shqipton bashkëtingëllimën e fjalës, mendimit nëpërmjet rrëfimit, me tone të rrëfimit të pastër lirik. Stilema poetike, e bashkëlidhënisë së rrokshme të Ep-it me lirikën meditative, shënjohet në këto situatë, tejet të shtrira në këtë libër: si nëntitull në poezinë Shamia profetike e pleqërisë, në poezitë Epi për  dyfytyrësisë së grave, që rrok dimensionet e shpërfytyrimit të qenies, Epi për debatin dhe për heshtjen, Epi i lehtësisë së rrënimit, që në hapësirën e vëllimit poetik, vjen në dy trajta: 1 – Gërmadha, 2 – Zuzari, që e pasuron pentagramin poetik. Për të vijuar me vargjet e poezisë Epi për luftën mes brezave, Epi për ngjashmëritë e mbretërve, Epi për zëdhënësit nga bota e kafshëve, Epi për kollitjen enigmatike të Mixhës Qazim, Epi për marrëveshje politike buzë liqenesh, etj., një gjendje letrare, krejt e përveçme, siç e pati formuluar I. Kalvino, më parë.

Stilema e bashkëtingëllimit të rrëfimit lirik, një gjetje e gërshetimit të shprehësisë, shpaloset edhe në poezitë: Epi për fuqinë planetare të fjalës, Epi për heqjen e dushkut të fjalëve, Epi për një shprehje zbutëse, Epi për Gadishullin tokë e ashpër e dhjetëra tekstet të tjera, që kanë në krye si titull fjalën –ep, që kumton shprehësinë me anë të tekstit dhe nëntekstit. Fakti domethënës, që edhe në këtë libër, shkrimi i ndërthurjes së lirikës me epin, që sendërtohet si rrëfim lirik, ngjet në tridhjetë e pesë poezi, pra duke e bartur dhe shenjuar si topikë të mirëfiltë letrare, të kapërthimit lirik dhe epik, të shpalimit të shenjave etike dhe estetike, me anësim kah poezia e mendimit, e derdhur si lirikë e qartë meditative, dëshmon se kemi të bëjmë me rrokjen e një vetëdije të shqiptuar në shkrimin poetik.

  • Shkurtësia dhe ironia e fshehur

Veçanësia e shkrimit poetik, të Ismail Sylës, përpos të tjerash, shënjohet në stilin e ngjeshur, që më tepër anësohet kah konciziteti, ndonëse shpalohet e shoqëruar me velin e ironisë së hollë. Pohimi i Harold Bloom: … poezia është një thirrje profetike që meriton pa diskutim kurorën e letërsisë imagjinare. (2008: 69), ndikon për të hyrë në dhënie marrje me vargjet e këtij vëllimi. Ligjërimi poetik, edhe në librin më të ri të autorit, sërish paraqitet lakonik, një formë shprehje e pranishme në poezishkrim, që lëviz nga dyvargëshi, katërvargësh e nuk i kapërcen njëzet vargjet. Megjithatë, brenda vatrës së stilemave të lëvrimit lakonik, poeti ndërfut përthyerjen, me spikamë ironike dhe etike, të rrokshme në hapësirën tekstologjike, të strukturës tërësore. Pjesa dërrmuese e vargjeve, shpalohen të ngjeshura si shkrim, përgjithësisht ato sendërtohen në situatë kundërthënëse, si për të përçuar larmi kumtesh letrare. Vargjet e poezisë Atdheu halor me bij gjetherënës, e zbulojnë hapur stilemën e antinomisë:

Atdheu im i lashtë me trung të fortë halor / Pip në këmbë i rri breshrit dhe vetë erës, / E nuk di çka të bëj me bijtë gjetherënës, / Që i djegin parajsën me zjarr të skëterrës. (2019: 50)

Po ashtu, ndeshet një situatë e qartë antinomike në vargjet:

Brenda në një gogël mos kërko kala / E në mure të vogla dritare të mëdha. (2019: 65), që e anojnë shprehësinë nga sentenca e tipit të epigramit. Rastiset një  situatë e kundërvënies, tashmë  ndërmjet strofave, sikur ngjet në vargjet e poezisë Epi i lehtësisë së Rrënimit, që sendërgjohet në pamjen e parë:

1 – Gërmadha: Pikat e kulmit i tund themelet / E veç një vizë e ngre në ajër / Sa e rëndë të mbash shtëpi / Aq e lehtë të bësh gërmadhë.

2 – Zuzari: Ai që prish paktin me Qiellin / E ka të lehtë të ecën zvarrë / Sa e vështirë të jesh zotëri / Aq më e lehtë të jesh zuzar. (2019: 37), që përcjell edhe kundërvënien brenda vargjeve të secilës strofë, të gjendjes së poezisë së shqiptuar në dy variante, bashkërisht me tonet ironike.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbretëria e Bashkuar dhe Koreja Jugore, kanë nënshkruar në parim…