AQH-ja zvicerane do të vazhdojë ta mbështes shëndetësinë e Mitrovicës

05 shkurt 2020 | 14:23

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj-Barani dhe drejtori i QKMF-së “Dr. Nexhat Çuni”, Fevzi Sylejmani, kanë pritur në një takim përfaqësuesit e organizatës zvicerane Accesible Quality Healthcare (AQH), në krye me udhëheqësin Nicu Fota.

Në këtë takim udhëheqësi i AQH-së, Nicu Fota, ka potencuar se kjo organizate do të vazhdojë të mbështesë edhe për katër vite të ardhshme shëndetësinë në Mitrovicë, në kuadër të projektit për mbështetje në sektorin e Shëndetësisë në disa nga Komunat e Kosovës. “Do të vazhdohet edhe me fazën e dytë të këtij projekti, sepse faza e parë e projektit ka shkuar shumë mirë dhe bashkëpunimi ka qenë i shkëlqyeshëm me komunën dhe QKMF-në. Ky projekt është i orientuar në tri pika, duke filluar me ofrimin e shërbimeve më të mira shëndetësore, pastaj fuqizimin dhe vetëdijesimin e qytetarëve për të drejtat në marrjen e shërbimeve shëndetësore, dhe mbështetja e ngritjes profesionale”, ka thënë Fota.

Ndërsa, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka falënderuar dhe vlerësuar lartë kontributin e AQH-së, për realizimin me sukses të projektit gjatë katër viteve të kaluara, si dhe për vazhdimin e projektit duke përkrahur sektorin e shëndetësisë, në ofrimin e shërbimeve sa më cilësore.

Po ashtu edhe drejtoresha për Shëndetësi, Erseka Hasanaj-Barani, ka theksuar se AQH-ja janë partnerë shumë bashkëpunues, dhe falë ndihmës së tyre në realizimin e projekteve për sektorin e shëndetësisë, kanë arritur të krijojnë kushte më të mira për qytetarët mitrovicas.

Në fund, udhëheqësi i AQH-së, Nicu Fota, në shenjë falënderimi për bashkëpunimin e treguar në raport me ofrimin e shërbimeve më të mira shëndetësore për qytetarët e Mitrovicës, ia ka dhuruar një mirënjohje simbolike kryetarit Bahtiri.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata joqeveritare Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK)…