Ardian Krasniqi mbron titullin WBO: Ky është vetëm fillimi
Boksieri shqiptar Ardian Krasniqi ka vazhduar formën e tij të jashtëzakonshme, duke mbrojtur me sukses titullin WBO Intercontinental dhe duke u shpallur kampion evropian, pas fitores ndaj kroatit Vinko Zadro në një meç të zhvilluar deri në 12 raunde.
Me këtë triumf, Krasniqi e ka çuar bilancin e tij perfekt në ring në 13 fitore në po aq meçe, duke mbetur i pamposhtur në karrierën profesioniste.
Pas përfundimit të duelit, ai ka reaguar me një mesazh emocional, duke e cilësuar këtë sukses si një nga momentet më të veçanta të karrierës së tij dhe duke ia dedikuar fitoren tifozëve shqiptarë, familjes dhe të gjithë mbështetësve të tij.
“U shpalla kampion Evrope dhe mbrojta me sukses titullin tim WBO Intercontinental. Faleminderit nga zemra të gjithë tifozëve që më dhatë forcë dhe besuat tek unë Një falënderim i veçantë për familjen time, sidomos për babain tim, Agimin, i cili sakrifikoi gjithçka që unë të jem sot këtu ku jam. Ky sukses mban edhe emrin e tij. Faleminderit xhaxhait tim, Luanit, sepse gjithçka filloi prej tij. Ai është arsyeja pse hyra në këtë rrugëtim dhe pse sot jetoj këtë ëndërr. Faleminderit trajnerëve të mi, vëllezërve të mi dhe gjithë stafit për besimin dhe mbështetjen e palëkundur. Ky është vetëm fillimi. Rruga drejt titullit të Kampionit të Botës tani është e hapur”, ka shkruar Krasniqi në rrjetet sociale.



