Arka e shtetit është mbushur me 58 milionë euro nga zhdoganimi i veturave

09 shkurt 2019 | 11:15

Rreth 2 mijë e 600 euro duhet të paguajë një qytetar i Kosovës, nëse dëshiron të vë në qarkullim një veturë të blerë nga jashtë vendit.

Radio Evropa e Lirë ka bërë një llogaritje të thjeshtë, në kalkulatorin online të Doganës dhe Institutit GAP, për shumën që një qytetar duhet të paguajë për të vënë, lirshëm dhe ligjshëm, në qarkullim një veturë të blerë jashtë vendit.

Llogaritja është bërë duke marrë shembull një veturë me vlerë 5.000 mijë euro, me vëllim të motorit nën dy mijë kubikë dhe të vjetër 10 vjet.

Sipas kalkulatorit, për një veturë të tillë zhdoganimi kushton 2 mijë e 316 euro. Nga kjo shumë 1 mijë e 116 euro shkojnë për TVSH, për tatimin në import 500 euro dhe 700 euro të tjera për akcizë.

Kur shumës së zhdoganimit i shtohen edhe sigurimi (i thjeshtë) e regjistrimi (bashkë me taksën për rrugë, tabelat etj), që zakonisht kushtojnë rreth 250 euro, kostoja e përgjithshme e dokumentacionit për vënien në qarkullim të veturës, zakonisht, shkon afër 2 mijë 600 euro.

Në një thjeshtësim, për një veturë në vlerë 5 mijë euro, të blerë jashtë vendit, një qytetar duhet të paguajë edhe së paku gjysmën e asaj shume, vetëm për dokumentacionet e nevojshme për të vënë makinën e tij lirshëm dhe ligjshëm në rrugët e Kosovës.

Aktualisht, dogana për import të automjeteve është 10 për qind, TVSH-ja 18% dhe akciza llogaritet sipas vëllimit të motorit dhe vitit të prodhimit.

Ish-drejtori i Doganës dhe njohësi i kësaj fushe, Naim Huruglica, vlerëson se taksat nuk janë shumë të larta.

Megjithatë, ai pranon se ato nuk janë në përputhje me standardin ekonomik të shumicës së popullsisë në Kosovë, pasi, sipas tij, pjesa më e madhe e qytetarëve nuk kanë mundësi të blejnë vetura të reja, të cilat lirohen nga akciza.

“Kur kemi të bëjmë me veturat e vjetra ose të përdorura, atëherë fillon aplikimi i taksës dhe akcizës, e cila shkon duke u rritur gradualisht sipas vjetërsisë së veturës. Nuk do të thosha që taksat i kemi shumë të shtrenjta, por problemi është që njerëzit tanë, në përgjithësi, nuk kanë fuqi ekonomike të blejnë vetura të reja dhe gjithmonë është orientimi te veturat e përdorura dhe për këtë shkak i nënshtrohen pagesës së këtyre detyrimeve,” vlerëson Huruglica.

Ideja e vendosjes së akcizës, sipas ish të parit të Doganës, ka qenë dekurajimi i qytetarëve nga blerja e automjeteve të vjetra.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës, në mbledhjen e…