Arrihet marrëveshja, ndërpritet greva e minatorëve

12 nëntor 2019 | 13:17

Minatorët e Kombinatit Metalurgjik “Trepça” kanë ndërprerë grevën e nisur për shkak të pakënaqësive të tyre lidhur me pagat dhe kushtet e punës.

Këtë e bëri të ditur, kryesuesi i Bordit të “Trepçës”, Ardian Syla, i cili ka thënë se pas negociatave nga të gjitha palët në ndërmarrjen “Trepça”, puna në minierën e Stantërgut pas një ndërprerje dyditore ka rifilluar.

Sipas tij, pagat për muajin tetor,  si dhe pjesa e mbetur e dy muajve paraprak do të ekzekutohen shumë shpejtë, pas liferimit të sasisë së grumbulluar të koncentratit të plumbit dhe zinkut.

Ai ka falënderuar gjithë punëtorët e “Trepçës” për mirëkuptimin e tyre,  si dhe kontributin e dhënë ndër vite në zhvillimin e ndërmarrjes “Trepça”.

“Pas negociatave nga të gjitha palët në ndërmarrjen ‘Trepça’; Bordi, Menaxhmenti, Sindikata si dhe punëtorët e ndërmarrjes ‘Trepça’, puna në minierën e Stantërgut pas një ndërprerje dyditore ka rifilluar. Kohëve të fundit, ‘Trepça’ është duke u përballur me gjendje jo të mirë financiare. Në mungesë të prodhimit kemi pasur edhe jolikuiditet financiar, prandaj ka pasur edhe vonesa në ekzekutimin e pagave si dhe obligimeve tjera. Ndërmarrja ‘Trepça’ është ndërmarrje prodhuese, prandaj edhe gjithë funksionimi i saj varet nga nxjerrja, përpunimi dhe prodhimi i koncentratit”, ka thënë ai.

Syla ka bërë me dije se pagat për muajin tetor si dhe pjesa e mbetur e dy muajve paraprak do të ekzekutohen shumë shpejtë, pas liferimit të sasisë së grumbulluar së koncentratit të plumbit dhe zinkut. “Rregullimi i cilësisë së ushqimit si dhe kushtet tjera të punës për punëtorët në minierë janë në përfundim e sipër. Tremujori i fundit ka qenë shpresëdhënës duke treguar trend të rritjes së prodhimit prandaj Trepçës i është kthyer shpresa sado e vogël për një stabilitet financiar. Prandaj, çdo grevë eventuale vetëm se do të pengonte zhvillimin e mëtutjeshëm të ndërmarrjes. Falënderojmë të gjithë punëtorë e Trepçës për mirëkuptimin e tyre, si dhe kontributin e dhënë ndër vite në zhvillimin e ndërmarrjes Trepça. Me Fat!”, ka thënë Syla.

 

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me anëtaren…