Arsim Fehmiu mbush 9 dekada jetë, gati të gjitha me sport

04 qershor 2022 | 14:45

U bë 90 vjeç. E prej tyre 75 i kaloi në sport. Andaj mund të thuhet se sikur Arsim Fehmiu, Kosova ka pak njerëz. E mbase është i vetmi.

Pedagogu dhe trajnuesi sportiv, lindi më 3 qershor 1932 në Sarajevë, ku e nisi shkollimin për ta vazhduar më pas në Kosovë. Por, pa i mbushur 18 vjet mori përsipër hospitimin e Shkollën së mesme të Fizkulturës në Zemun të Serbisë.

Studimet në Institutin Shtetëror të Fizkulturës – DIF- dhe në Shkollën Federative të Trajnerëve – Degën e Futbollit i kreu në Beograd, ku dorëzoi edhe Disertacionin e Doktoratës në Fakultetin e Kulturës Fizike të Universitetit të Beogradit, pasi më parë kreu studimet pasuniversitare dhe u magjistra në Shkup.

Që nga viti 1947, kur nisi punës si mësimdhënës, e kur e vazhdoi dhe si trajner, Fehmiu nuk pushoi së ushtruari funksione drejtuese në sporte të ndryshme në Kosovë e gjithandej ish-Jugosllavisë.

Kështu u bë trajneri i parë shqiptar i Kosovës me licencë federative dhe ndërkombëtare, themelues i institucioneve sportive në Kosovë duke perfshirë edhe Lidhjen e Futbollit te Kosovës, që ishte paraardhëse e Federatës së Futbollit të Kosovës). Kjo derisa e themeloi edhe Fakultetin e Kulturës Fizike në kuadër të të cilit edhe katedrën e Futbollit.

Por, është marrë edhe me hartimin e plan-programeve të Edukatës Fizike dhe të Treningut Sportiv, ndërsa ka dhënë kontribut edhe në fushën e kërkimeve shkencore në shumë institucione, dhe të planifikimeve afatgjata.

Si kryetar i Komisionit “Akademia Olimpike e Kosovës” pranë Komitetit Olimpik të Kosovës, e themeloi edhe Shoqatën e Pedagogëve të Kulturës Fizike dhe Sportit Shkollor.

Për veprimtari si sportist, pedagog dhe punëtor sportiv është bartës i shumë shpërblimeve, pllaketave, mirënjohjeve dhe dekoratave.

Një iu nda edhe për këtë ditëlindje të 90-të, dhe atë nga kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, si mirënjohje për vepër jetësore.

“Sot feston ditëlindjen e 90-të profesor Arsim Fehmiu, njeriu që i dha shumë Kosovës jo vetëm në edukimin e shumë brezave në arsim, por edhe në sport”, ka shkryar Ademi në llogarinë e tij në Facebook. “Profesor Fehmiu e dha kontributin e tij të jashtëzakonshëm në futboll sidomos në periudhën më të vështirë, atë të viteve të 90-ta, për çka FFK ka vendosur ta nderojë me mirënjohje për vepër jetësore”

Fehmiu edhe në këtë moshë, vazhdon kontaktet dhe dhënien e këshillave për drejtuesit e institucioneve dhe klubeve.

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në 24 orët e…