Asamblistët e Deçanit kërkojnë nga pushteti qendror të bëjë zgjidhje për pronat rreth Manastirit

27 maj 2019 | 16:09

Kuvendi Komunal i Deçanit ka mbajtur të hënën një mbledhje të jashtëzakonshme në lidhje me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth kontestit pronësor me Manastirin e Deçanit dhe pasojat për zhvillimin ekonomik të kësaj komune.

Asamblistët  e kësaj komune u kanë bërë thirrje institucioneve të nivelit qendror që të angazhohen për gjetjen e një zgjidhje të mirë për të dyja palët.

Ata kanë thënë se përfaqësuesit e Manastirit të Deçanit dhe institucionet lokale e qendrore duhet të ulen dhe të bisedojnë pasi vendimi i Kushtetueses është kundër zhvillimit ekonomik të Deçanit.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka deklaruar se kontesti rreth pronave përreth Manastirit të Deçanit ka filluar qysh në vitin 1992. “Gjeneza e kësaj problematike fillon në vitin 1992 kur punëtorët e këtyre ndërmarrjeve (‘Apiko’ dhe ‘Iliria’) kanë qenë të larguar nga aty, ku situata ka filluar të përkeqësohet e më pas vazhdon deri në vitin 1997 që merr edhe tokën bletarisë dhe atë të hotelit ku ia bashkangjitur Manastirit këto toka rreth 24 hektarë. Kontesti pronësor fillon pas luftës kur punëtorët nuk kanë mundur t’i kthyen punës dhe Gjykata e Qarkut në Deçan në atë kohë merr vendim që këto prona i takojnë punëtorëve. Por, lënda shkon më tutje, mandej Manastiri e dërgon në Gjykatë Kushtetuese, ku kjo e fundit në 2016 jep vendim pozitiv, pra këto toka i takojnë Manastirit, e jo komunës”, ka thënë Ramosaj.

Ai ka shtuar se një vendim i tillë i Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm. Ndërsa, asamblisti nga radhët e AAK-së, Rifat Stokaj, ka thënë se pushteti i asaj kohe në formë të dhunshme ia ka falë Manastirit të Deçanit 12 hektarë. “Edhe pse 20 vjet pas luftës qytetarët e Deçanit diskriminohen, ku po ndalohet zhvillimi në atë pjesë, qoftë infrastrukturë rrugorë e gjëra tjera që lidhen në atë zonë”, ka thënë ai.

Stokaj ka kërkuar nga Agjencia Katastarale e Kosovës që të mos e cenojë Deçanin dhe ta shqyrtojë vendimin përkitazi me këtë çështje.

Në anën tjetër, asamblisti Fatmir Kurmehaj nga LDK-ja ka theksuar se Manastirin e Deçanit e shohim si zhvillim të qytetit, duke bërë thirrje që prijësit fetarë të bashkëpunojnë me pushtetin lokal për të mirën e qytetarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kapiteni i Ajaxit, Matthijs de Ligt është i shumëkërkuar nga…