Atentati i planifikuar ndaj izraelitit me urdhër nga Irani: Del emri i të arrestuarit nga Kumanova

17 nëntor 2026 | 21:30

Detaje të reja janë publikuar lidhur me pesë personat e arrestuar nga Shkupi e Kumanova, të dyshuar për planifikimin e një atentati në Greqi, me udhëzime nga një shtetas iranian.

Sipas raportimeve të mediave shqiptare, katër nga gjashtë personat e dyshuar për përfshirje në këtë rast janë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.

Madje, është publikuar edhe emri i njërit prej të arrestuarve, i cili dyshohet se kishte marrë pjesë në përgatitjen e atentatit.

Raportohet se bëhet fjalë për Shpëtim Musliun, të lindur më 21 dhjetor 1996, nga Kumanova.

Sipas këtij raportimi, Musliu ishte arrestuar nga autoritetet greke dhe më pas u ishte dorëzuar autoriteteve të Maqedonisë së Veriut.

Ai dyshohet se kishte tentuar më herët të hynte në Greqi nga Turqia, por ishte kthyer mbrapsht nga autoritetet kufitare greke.

Në një përpjekje të mëvonshme, ai ishte ndaluar pas informacioneve që shërbimet greke kishin marrë nga homologët e Maqedonisë së Veriut.

Edhe korrespondenti i Top Channel në Greqi, Artur Bibe, ka raportuar për përfshirjen e katër shqiptarëve në këtë rast.

Megjithatë, identiteti i Musliut dhe përkatësia etnike e katër të dyshuarve nuk janë konfirmuar në njoftimet zyrtare të autoriteteve maqedonase.

Sipas informacioneve të publikuara nga institucionet e sigurisë, gjashtë të dyshuarit janë shtetas të Maqedonisë së Veriut, të moshës 29 deri në 73 vjeç, nga Shkupi dhe Kumanova.

Katër janë vendosur në paraburgim, një në arrest shtëpiak, ndërsa i gjashti vazhdon të jetë në kërkim.

Autoritetet kanë njoftuar se gjatë operacionit janë sekuestruar armë, municion, telefona, kompjuterë dhe skica të vendndodhjeve të caktuara.

Ndërkaq, sipas [Agjencisë së Sigurisë Nacionale të Maqedonisë së Veriut] rrjeti dyshohet se vepronte nën udhëzimet e shtetasit iranian Edris Jahangiri Mavaneh.

Ky i fundit, sipas agjencisë, ka lidhje me persona të afërt me shërbimet iraniane të inteligjencës dhe me trafikantin e dyshuar të drogës Naji Sharifi Zindashti.

Mediat greke kanë raportuar se objektivi i atentatit dyshohej të ishte një biznesmen izraelit, drejtues në një kompani që vepron në Greqi.

Megjithatë, identiteti i personit që synohej të vritej nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Hetimet për rastin kanë nisur në fillim të vitit 2026, në bashkëpunim ndërmjet shërbimeve të inteligjencës së Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
ombëtarja e Kosovës ka pësuar gol në ndeshjen ndaj Irlandës,…