Auditori kërkon përmirësim të sistemeve të informacionit përmes të cilave administrohen detyrimet tatimore    

09 korrik 2020 | 18:24

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Menaxhimi i Obligimeve Tatimore në Sistemet e Informacionit të Administratës Tatimore të Kosovës”.

Ky raportin kërkon përmirësim të menjëhershëm të sistemeve të informacionit përmes të cilave administrohen detyrimet tatimore.

Auditimi është kryer në Administratën Tatimore të Kosovës dhe kishte për qëllim vlerësimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit të cilat mbështesin menaxhimin dhe administrimin e detyrimeve tatimore, për të siguruar që sistemet ofrojnë informacione të besueshme, të plota dhe të sakta.

Administrimi dhe menaxhimi i detyrimeve tatimore bëhet nëpërmjet sistemeve të informacionit të ndërlidhura siç janë Sistemi Elektronik për Deklarim të Tatimit, Sistemi i Integruar Qeveritar për Administratën Tatimore dhe Sistemi për Menaxhimin e Rasteve të Mbledhjes.

“Sistemet e ndërlidhura tatimore kanë mundësuar ofrimin e shërbimeve online, ruajtjen dhe trajtimin e deklaratave tatimore dhe kanë zvogëluar shpenzimet operative për ATK-në duke mundësuar menaxhim më të lehtë të borxheve tatimore. Mirëpo, auditimi ka nxjerr përfundimin se pavarësisht avancimit të sistemeve dhe lehtësirave të ofruara, sistemet e teknologjisë së informacionit kanë mangësi që ndërlidhen me kontrollet e aplikacionit, konfigurimin e sistemit, kontrollet e qasjes logjike në sisteme, si dhe me sigurinë e informacionit dhe vazhdimësinë e sistemeve. Sistemet janë të ekspozuara ndaj rreziqeve të humbjes së integritetit dhe konfidencialitetit të të dhënave dhe disponueshmërisë së sistemeve”, është thënë në njoftimin për medie të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Sipas njoftimi, këto mangësi kanë ndikuar në paraqitjen e një pasqyre jo të saktë dhe jo të plotë të llogarive të deklaratave tatimore, në rreziqe të funksionimit të sistemeve të informacionit, humbje të integritetit dhe konfidencialitetit të të dhënave dhe rreziqe në sigurinë e informacionit dhe vazhdimësinë e punës së sistemeve.

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, ka theksuar që rezultatet e auditimit tregojnë nevojën për përmirësime të menjëhershme në menaxhimin e sistemeve të informacionit, nëpërmjet të cilave administrohen detyrimet tatimore. Ai ka deklaruar se duke marrë parasysh rëndësinë e detyrimeve tatimore që kanë për buxhetin e shtetit, Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar Ministrinë e Financave që me prioritet të adresoj çështjet rreth sigurisë së informacionit dhe kapaciteteve të Administratës Tatimore të Kosovës.

Me qëllim të adresimit të shpejtë të çështjeve të menaxhimit dhe kontrollit të teknologjisë së informacionit brenda organizatës, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 18 rekomandime për Administratën Tatimore të Kosovës.

Procesi dhe Metodologjia e zbatuar në këtë auditim, është mbështetur nga Projekti i Binjakëzimit i financuar nga BE-ja KS 17 IPA FI 01 19 “Fuqizimi i mëtejmë i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Robin van Persie ka treguar emrat e tre futbollistëve që…