Auditori Osmani kritikohet për mosauditimin financiar të RTK-së

09 qershor 12:12

Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere auditori i përgjithshëm i ZKA-së, Besnik Osmani për herën e dytë, të mërkurën ka dhënë informacione shtesë për raportin vjetor financiar për vitin 2020.

Në kritikat e deputetëve nga Vetëvendosje për mosaudutitimin pasqyrave financiare të Televizionit Publik, Osmani ka thënë se janë duke pritur një opinion ligjor nga Kuvendi i Kosovës për auditimin e RTK-së dhe pastaj për të vepruar në abzë të tij.

Deputeti Eman Rrahmani ka thënë se është shqetësuese të mos prezantohet saktë dhe drejt raporti vjetor i ZKA-së nga auditori në detyrë.

Rrahmani ka kritikuar Osmanin për gabimet, siç tha ai, të njëpasnjëshme për mosauditimin e mediumit publik.

“Është shqetësuese që auditorit i duhen dy mbledhje që të raportojë për ta mbrojtur raportin për gabimet e ZKA-së”, ka thënë Rrahmani.

Auditori i përgjithshëm i ZKA-së, Besnik Osmani ka thënë se sa i përket RTK-së ka dorëzuar një dosje në Kuvend, në mënyrë që të ketë një qartësi ligjore lidhur me auditimin. “Faktikisht një përgjigje për interpretim nga Kuvendi ende nuk e kam marrë”, ka bërë me dije Osmani.

Por deputeti Rrahmani ka thënë se Kuvendi ka lëshuar një opinion ligjor për këtë çështje. Ai e ka pyetur Osmanin se: A e ndjen veten përgjegjës për mosauditimin e RTK-së?. “Natyrisht që nuk e ndjej veten përgjegjës por krenar që në mandatin tim kemi rritur numrin e auditimit për ndërmarrjet publike”, ka qenë përgjigja e Osmanit.

Deputeti i PDK-së, Bedri Hamza, ka kërkuar nga kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja që të respektohet rregullorja e punës së Kuvendit, pasi sipas tij, disa deputetë nga VV-ja nuk po i përmbahen rregullores duke tejkaluar minutazhen e diskutimit.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere pas shumë diskutimeve me shumicë votash ka miratuar raportin vjetor financiar të ZKA-së për vitin 2020.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShT), Arbërie Nagavci,…