Avdyli: Po pres ftesën e Challandesit

04 maj 2018 | 18:06

Ilir Avdyli para tre vjetësh ishte ftuar për herë të parë në Përfaqësuesen e Kosovës, kurse tash po synon ta bindë përzgjedhësin Bernard Challandes që ta ftojë sërish.

Ilir Avdyli po e vazhdon karrierën në futbollin shqiptar, përkatësisht te skuadra e Kamzës. Ai të enjten për “Epokën e re” ka thënë se është duke e pritur ftesën e përzgjedhësit të Kosovës në futboll, Bernard Challandes. “Kam qenë pjesë e përfaqësueses në të kaluarën por, për shkak të problemit me viza dhe pas një reagimi tim kundër ish-selektorit, nuk jam ftuar më. Normalisht se pres ftesën nga selektori i ri, sepse janë bërë dy muaj që jam titullar në një ekip që garon në njërën prej ligave më cilësore që ka rajoni”, ka thënë Avdyli, i cili ka treguar edhe për largimin nga Shkëndija e Tetovës.

Edhe pse nuk është pjesë e kësaj skuadre, ai e ka mirëpritur suksesin e skuadrës shqiptare në futbollin e Maqedonisë. “Shkaqet e largimit tim nga Shkëndija ishin, së pari, numri i kufizuar i futbollistëve të huaj që ekipi duhej të kishte në protokoll për ndeshjet zyrtare, pastaj pjesëmarrja në pak minuta na shtynë ta prishim kontratën me marrëveshje të dyanshme. Sa i përket suksesit, Shkëndija e ka merituar këtë vit, sepse ka shumë nivel në skuadër dhe një trajner i cili për mrekulli ka gërshetuar cilësitë e futbollistëve me idetë e veta”, ka shtuar ai.

Fotografia e Ilir Avdyli

Ish-portieri i disa skuadrave në elitën e futbollit të Kosovës e ka komentuar edhe garën e ashpër për titull në këtë edicion të Vala Superligës. Ai mendon se, nëse Drita e arrin titullin, kjo do të jetë me meritë të plotë, kurse për Prishtinën thotë se e ka mundësinë t’i rrëmbejë të dy trofetë: titullin dhe Kupën. “Sa i përket luftës për titull në Superligën e Kosovës me gjasë do të vendosë ndeshja e fundit. Drita ka ekip shumë cilësor dhe trajner me ide të qarta për lojën që ekipi i tij aplikon, prandaj jam i mendimit se, nëse shpallet kampion, do të jetë me meritë të plotë, kurse në anën tjetër Prishtina, përveçse ka ekip cilësor dhe trajner të dëshmuar, ka dhe përvojën dhe shanset e veta që këtë vit ta mbyllë me dy trofe”, ka deklaruar Avdyli.

Avdyli: Jam rahat në Kamza

Portieri nga Kosova, Ilir Avdyli, është pjesë e skuadrës së Kamzës në të cilën skuadër është duke kaluar mirë. Ai nuk synon të largohet nga skuadra shqiptare, duke konfirmuar me këtë rast se nuk do t’i bashkohet skuadrës së Llapit në afatin kalimtar të verës.

“Te Kamza po ndihem mirë. Më është dashur pak kohë të marr veten dhe ta zë vendin e portierit titullar. Kontratë kam deri në janar të vitit të ardhshëm dhe dua ta respektoj këtë kontratë deri në ditën e fundit. Zërat për një rikthim te Llapi janë komente nëpër rrjete sociale dhe nuk ka diçka serioze lidhur me këtë gjë”, ka deklaruar ai. Portieri Ilir Avdyli në futbollin e Kosovës ka qenë pjesë e KEK-ut, Drenicës, Hajvalisë, Ferizajt dhe Llapit kurse, përveç Shkëndijës dhe Kamzës, ka qenë pjesë edhe skuadrës së Tiranës.

 

(Veton ZYMBERI)

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
18:03 - Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e…