
Avionë luftarakë për Ukrainën. Po përgatiten furnizimet?
Vendimi për të dërguar avionë luftarakë perëndimorë ka kohë që është marrë, thonë analistët ukrainas, dhe se tani bëhet fjalë vetëm për tipin e avionëve që do të dërgohen. Ku bazohen ata?
Instituti amerikan kritikon hezitimin gjerman
Në një kohë që debatet disamujore për furnizimin e Ukrainës me tanke perëndimorë luftarake si Leopard 2 nga prodhimi gjerman, mund të kenë përshpejtuar vendimin për avionët luftarakë perëndimorë. Në frontet në lindje dhe jug të Ukrainës, ushtria ruse ka filluar ofensivën në disa zona. Ushtria ukrainase pas rifitimit të territoreve deri në fund të verës 2022 është sërish nën presion. Në Uashington ka kritika për hezitimin e kancelarit Scholz. “Vonesat e vazhdueshme të vënies në dispozicion të materialit perëndimor, kur bëhej e qartë se ai nevojitet ose do të nevojitet shumë shpejt kanë çuar në zgjatjen e konfliktit”, shkroi në fund të janarit, Instituti për Studimet e Luftës, “Institute for the Study of War (ISW)”.
Vërtet që premtimet gjermane për tanke luftarake janë të rëndësishme për ofensivat e tjera, por vonesat ndoshta kanë bërë që Ukraina të mos ketë shans për një kundërofensivë këtë dimër, sipas ISW. Edhe Nico Lange, ekspert ushtarak për Ukrainën nga Konferenca e Sigurisë në Mynih shkruan në një blog për një “shans të humbur për Ukrainën”. Rusia ka pasur “kohë të rrisë dendësinë e trupave, të forcojë pikat e mbrojtjes dhe trajnojë dhe të afrojë trupa të reja”. Por në të njëjtën kohë shtetet mbështetëse të Ukrainës nën lidershipin amerikan ranë dakord në fund të janarit për hop cilësor në drejtim të mbështetjes së Ukrainës me tanke luftarake.
Avionë të vegjël luftarakë të shpërndarë në Ukrainë?
Instituti i njohur londinez, Royal United Services Institute (RUSI), që këshillon forcat e armatosursa britanike që në fillim të nëntorit, në fazën e debatit për tanke luftarake kishte kërkuar avionë luftarakë për Ukrainën. “Aviacioni luftarak ukrainas ka nevojë për avionë perëndimorë modernë dhe raketa”, për të mbajtur në distancë aviacionin luftarak rus. Sipas institutit edhe “një numër i vogël avionësh perëndimorë luftarakë do të kishte një efekt të madh kërcënues”, shkruan eksperti Justin Bronk. RUSI rekomandon shpërndarjen e avionëve luftarakë perëndimorë në grupe të vogla në Ukrainë.
Sipas Bronk “çdo avion luftarak perëndimore që jepet si furnizim shpejt ose në plan afatmesëm duhet të jetë në gjendje të veprojë i shpërndarë, me ekipe të vogla dhe aparatura mobile që të fluturojë edhe nga pista jo të përshtatshme fluturimi për të mënjanuar neutralizimin nga sulmet e raketave ruse.” Sipas zëdhënësit të aviacionit luftarak ukrainas, Jurij Ihnat për televizionin francez, Ukraina duhet të ngrejë 5 briagada aviacioni luftarak me një tip të vetëm avioni perëndimor shumëpërdorimësh. Për momentin sipas tij bëhet fjalë “se cili tip avioni do të jetë”.