Avioni amerikan që goditi caqet serbe më 1999 ekspozohet në ShBA

20 nëntor 2026 | 08:20

Avioni luftarak amerikan F-117 Nighthawk, i njohur si “Skifteri i Natës”, i cili u përdor nga Forcat Ajrore të ShBA-së gjatë fushatës ajrore të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë në vitin 1999, është vendosur për ekspozim në Virginia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pamjet e avionit dhe materialeve informuese që tregojnë historinë e tij i ka publikuar në Facebook gazetari Qëndrim Krasniqi, i cili ndodhet në ShBA.

Avioni është pjesë e ekspozitës në Qendrën Steven F. Udvar-Hazy të Muzeut Kombëtar të Hapësirës dhe Aviacionit Smithsonian, në Chantilly të Virginias, pranë aeroportit ndërkombëtar Dulles.

Në mesin e materialeve të ekspozuara gjendet edhe një tabelë informuese me titullin “Operation Allied Force 1999”, ku përshkruhen operacionet ajrore të NATO-s dhe përdorimi i avionëve F-117 kundër objektivave strategjike të Serbisë.

Sipas historikut të publikuar nga revista Air & Space Forces Magazine, më 3 maj 1999, avionët F-117 hodhën municione CBU-94 kundër pesë nënstacioneve elektrike të Beogradit, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në rreth 70 për qind të territorit të Jugosllavisë.

F-117 Nighthawk ishte një prej avionëve më të avancuar ushtarakë të kohës, i projektuar me teknologjinë stealth, e cila e bënte shumë të vështirë zbulimin e tij nga radarët kundërshtarë.

Avioni që po ekspozohet mban nofkën “The Overachiever” dhe numrin serik 85-0818. Sipas të dhënave të Smithsonian, ai ka marrë pjesë në katër operacione kryesore luftarake: në Panama, Irak, Jugosllavi më 1999 dhe Irak më 2003.

Në total, ky avion ka realizuar 60 misione luftarake, prej të cilave 12 gjatë Operacionit “Allied Force”.

Fushata ajrore e NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe strategjike të ish-Jugosllavisë nisi më 24 mars 1999 dhe përfundoi më 10 qershor të po atij viti, pas 78 ditësh sulmesh.

Sipas NATO-s, gjatë këtij operacioni u realizuan më shumë se 38 mijë fluturime, prej të cilave 10.484 ishin fluturime sulmuese.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Disa dokumente të zbuluara nga Deutsche Bank tregojnë se një…