Avokati i Haxhi Shalës në Hagë: Ende s’jemi paguar nga Ministria e Drejtësisë

14 prill 2024 | 11:53

“Jo (ende nuk jemi paguar). Ne po kundërshtojmë vendimet e Ministrisë së Drejtësisë përmes gjykatave vendëse dhe kemi besim se gjykatat do të vendosin në favorin tone”, tha Cadman për Nacionalen.

Krejt kjo vjen pas ndryshimit të Udhëzimit Administrativ nga Ministria e Drejtësisë. Me ndryshimet e reja, personat e akuzuar për pengim të drejtësisë në Gjykatën Speciale, kompensohen për mbrojtje deri në 1 mijë euro në muaj.

Kjo për avokatin e Haxhi Shalës është shumë e papranueshme.

“Shuma e tarifave që duhet të paguhet duhet të përcaktohet nga autoriteti përkatës. Ministria ofroi të paguajë 1000 euro në muaj për të gjithë ekipin tonë që është një ofertë e paarsyeshme dhe ne konsiderojmë se veprimet e ministres janë në kundërshtim me Kushtetutën pasi që ka obligim që z. Shala të ketë një gjykim të drejtë. Kjo është duke u shkelur”, tha Cadman.

Cadman bëri të ditur se ka bërë ankesë në gjykatat e Kosovës, por edhe para kolegjit të Gjykatës Kushtetuese në Hagë.

“Po (kam bërë ankesë), para gjykatave të brendshme kundër vendimit të ministrit dhe përpara Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara për vendimin e Sekretarit për ndryshimin e rregullores së ndihmës juridike”,tha ai më tutje.

Cadman ka folur edhe për qëndrimin e Haxhi Shalës për krejt këtë situatë.

“Kemi aplikuar për ndihmë juridike pranë Dhomës së Specializuar për financim të përkohshëm, ndërkohë që kundërshtojmë vendimin e ministres. Aktualisht, unë personalisht jam duke financuar ekipin tonë të mbrojtjes”, tha avokati Cadman.

Ai në fund, theksoi se problemet e tilla e vështirësojnë mbrojtjen efektive në Hagë.

“Po, kjo ndikon në të drejtën për një gjykim të drejtë dhe në aftësinë për t’u përgatitur siç duhet”,deklaroi avokati Cadman.

Ministria e Drejtësisë kohë më parë kishte thënë për Nacionalen, se ka kërkuar nga avokatët t’i plotësojnë kërkesat sipas legjislacionit në fuqi.

“Komisioni për shqyrtim dhe vendosje të kërkesa për kompensimin e mbrojtjes është mbledhur dhe ka kërkuar nga avokatët mbrojtës që të bëhet plotësimi i kërkesave me dokumentet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi. Avokatët mbrojtës sapo të na dërgojnë kërkesat e kompletuara, ne do t’i paraqesim para Komisionit për shqyrtim dhe vendosje”, u tha nga MD-ja.

Shqetësimi lidhur me pagesat ishte shfaqur edhe në një prej seancave, ku Gjykata Speciale më pas dërgoi letër urgjente në adresë të Ministrisë së Drejtësisë.

Iain Edwards që nga nëntori i vitit të kaluar është angazhuar si avokat kryesor në rastin e Isni Kilajt në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në këta muaj, Edwards nuk është aspak i kënaqur me përkrahjen që ka marrë nga ministria e drejtësisë në Kosovë.

“Ajo përkrahje tashmë është zhdukur. Ministria e Drejtësisë tani qartazi nuk përkujdeset për këta veteranë të cilët janë në paraburgim në Hagë. Ministria e Drejtësisë nuk është e gatshme që t’i mbështesë ata,” tha Iain Edwards – Avokat i Isni Kilaj.

Pakënaqësitë e Edwards ndërlidhen me udhëzimin e ri administrativ të ministrisë së drejtësisë, i cili ka ulur drastikisht pagesat për avokatët e angazhuar në Speciale.

Për rastin e Kilajt, avokatit Edwards i janë ofruar vetëm një mijë euro pagesë.

“Për mua nuk do të ishte problem që të punoja për një mijë euro në muaj. Mirëpo problemi është që unë kam nevojë që të ndërtoj një ekip, duhet të krijoj një sistem, duhet të angazhoj hetues, duhet të angazhoj juristë të tjerë me të cilët duhet të bashkëpunoj. Kështu që një mijë euro në muaj është shokuese, është e turpshme. Unë do t’i bëja thirrje ministrisë së drejtësisë që të tërhiqet nga ky vendim i padrejtë dhe ta rikthejë skemën e vjetër,” shtoi Iain Edwards.

Probleme me financa kanë bërë të ditur se kanë edhe disa prej ekipeve të tjera mbrojtëse në Hagë. Avokati kryesor i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, u largua nga ekipi shkaku i kostos së madhe financiare.

Për këtë shkak, avokatët e katërshes së UÇK-së i ishin drejtuar me letër Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar pagesa më të mëdha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lewis Hamilton nuk do të garojë me Mercedesin vitin tjetër,…