Avokati Stojkoviq ndalohet për katër orë nga Serbia

19 janar 2024 | 16:20

Avokati Çedomir Stojkoviq ka njoftuar se pasi ishte ndaluar për katër orë nga anëtarët e Agjencisë së Sigurisë Informative të Serbisë është liruar për lëvizje të lirë.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në platformën “X”, Stojkoviqi është shprehur  se lirimi i tij nuk është rezultat i vullnetit të autoriteteve.

“Unë u lirova sepse autoritetet ishin në dijeni se nëse do të më arrestonin edhe mua, presioni nga publiku botëror do të ishte shumë i madh”, ka shkruar ai.

Më tutje, ai është shprehur se tani presidenti serb, Aleksandër Vuçiqi, duhet të shpjegojë pse përben përjashtim me Nikolla Sanduloviqin, i cili është rrahur brutalisht nga shërbimi sekret serb pasi janë publikuar pamjet nga vizita e tij te të rënët në Prekaz.

“Në shtetin e Aleksandër Vuçiqit ligjet zbatohen në mënyrë arbitrare. Unë bëra një gjë edhe më të ‘keqe’ se Nikolla – mbajta një fjalim edhe te varri ku ai vendosi lule. E arrestuan dhe e rrahën. Unë jam i lirë”, ka shkruar ai.

Sipas avokatit Stojkoviqi, zyrtarët e BIA-s që kanë folur me të kishin një qasje profesionale, bënin pyetje që u interesonin, duke u sjellë me mirësjellje dhe se nuk ka ndjerë asnjë armiqësi, pavarësisht mosmarrëveshjeve të tyre.

“Paraburgimi im prej katër orësh (maksimumi ligjor) është rezultat i vendimeve të dikujt tjetër. Gjatë asaj kohe kemi pasur mundësi të shkëmbejmë mendime pa tension. Në fjalët e shkëmbyera, shoh një shans për të ndryshuar mendimin e tyre, sigurisht për arsyet e mia. Sepse edhe BIA duhet ta kuptojë se armiku është nga brenda dhe këta janë të gjithë ata që Serbinë e reduktojnë në nivelin e një komuniteti primitiv, duke filluar nga presidenti. Ndoshta prokurori publik në Beograd mendon ndryshe. Të shohim kur të shkoj atje”, ka shkruar Stojkoviqi, i cili gjatë ditës së djeshme ishte në Prekaz dhe ka vendosur lule te varri i Blerina Jasharit, e cila ishte shtatë vjeç kur ishte vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Përveç luleve, avokati e la edhe një letër ku ndër të tjera, ai ka shkruar se shpresa dhe ëndrra fillojnë me fjalën “më fal”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtari i lartë i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, ka lavdëruar…