Bajrami shpalosi planet për përkrahjen e sektorit privat pas pandemisë

10 korrik 2020 | 15:01

Ministrja e Financave Hykmete Bajrami mori pjesë në një forum virtual me biznese të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, gjatë të cilit u diskutua mbështetja për sektorin privat dhe bizneset të cilat janë goditur më së shumti nga pandemia Covid-19 e cila shkaktoi ndërprerjen e paprecedentë të aktiviteteve ekonomike e rrjedhimisht stagnoi edhe zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës.

Ministrja e Financave dhe Tranfereve, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se ministria që ajo e udhëheq po pret aprovimin e buxhetit të rishikuar nga ana e Kuvendit ashtu që të mund të ekzekutojë mjetet e parapara në pakon emergjente fiskale si dhe në pakon e rimëkëmbjes. Ministrja Bajrami sqaroi se Pako e Rimëkëmbjes përfshin edhe lehtësimin në qasjen e bizneseve në financa përkatësisht.

“Tek Pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike jemi fokusuar shumë tek qasja në financa dhe instrumente të tilla prej të cilave bizneset mund të përfitojnë bazuar në parimet dhe kriteret e njëjta por edhe ky përfitim mund të jetë shumë afatgjatë. Jemi duke punuar me Fondin për Garanci Kreditore që të hapen disa dritare për disa sektorë. Ne kemi marrë përgjegjësinë që gjatë këtij viti dhe vitit tjetër ta rrisim kapitalin e Fondit për Garanci Kreditore deri në 100 milionë euro dhe mbulueshmëria e rrezikut për këto kredi të jetë deri në 80 për qind. Gjithashtu si Qeveri gjatë kohës së pandemisë ne do të bartim komplet tarifën të cilën e ngarkon Fondi për Garanci Kreditore”, ka deklaruar Bajrami, duke shtuar se me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, qytetarët do të kenë mundësinë që në mënyrë vullnetare të tërheqin 10% nga mjetet e tyre të kursyera të fondit pensional.

Ajo tutje ka thënë se sektori i teknologjisë së informacionit do të ketë vëmendjen e Qeverisë për shkak të mundësive të shumta që ofron ky sektor për punësimin e rinisë së Kosovës, duke theksuar se Ministria që ajo drejton dhe Qeveria e Kosovës në përgjithësi janë të interesuar në incentivat që mund të ofrojë shteti për fuqizimin e sektorit të teknologjisë dhe digjitalizimit përmes investimeve dhe trajnimeve.

 

Bajrami tutje sqaroi se është krijuar një grup punues për përpilimin e udhëzimit administrativ për pushimet tatimore për investimet e reja, ndërsa në të njëjtën kohë në ditët në vijim do të përpilohet edhe kalendari i akcizës, i cili do të rriste parashikueshmërinë në mesin e bizneseve që i nënshtrohen detyrimeve të akcizës, ndërsa me qëllim të përkrahjes së sektorit të gastronomisë po rishikohet propozimi i komuniteti të biznesit për ulje të tatimit mbi vlerën e shtuar nga 18  për qind  në 8 për qind.

Përfaqësuesit e bizneseve anëtare të Odës Amerikane ishin pjesë aktive e këtij forumi dhe dhanë rekomandimet e tyre mbi përkrahjen e kësaj ministrie dhe shtetit në përgjithësi dhe mënyrave më efikase se si mund të ndihmohet sektori privat por edhe ekonomia e Kosovës për dalje nga kriza e shkaktuar nga pandemia. Disa nga çështjet e ngritura nga përfaqësuesit e sektorit privat ishin tkurrja e buxhetit dhe investimeve kapitale, zbritja e numrit të punëtorëve nëpër ndërmarrje dhe bashkëpunimi mes organeve qeverisë dhe sektorit privat në Kosovë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Protestat përfshijnë edhe kryeqytetin grek të Athinës. Policia përdori gaz…